Transmetuar më 04-07-2025, 10:50

TIRANË- Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar lidhur me dorëheqjet e drejtorëve në bashkinë e Vlorës pas vizitës së kryeministrit Edi Rama djë në institucion.

Në reagimin e mëposhtëm shoqata shpreh shqetësimin për ato "ndërhyrjet e përsëritura të Kryeministrit të vendit në çështjet administrative të bashkive". Theksohet se ndërhyrjet e fundit në bashkinë e Tiranës dhe Vlorës bien ndesh me parimet themelore të Kushtetutës.

Më tëj, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë shprehet se çdo ndërhyrje nga pushteti ekzekutiv qendror në punët e brendshme administrative të bashkive përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Gjithashtu ju bëhet thirrje institucioneve përkatëse të mbikëqyrjes dhe monitorimit të qeverisjes vendore të reagojnë dhe të mbrojnë integritetin institucional dhe ligjor të pushtetit vendor.

REAGIMI I PLOTË:

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndërhyrjet e përsëritura të Kryeministrit të vendit në çështjet administrative të bashkive. Ndërhyrjet e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës përbëjnë një praktikë të papranueshme, e cila bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Kushtetuta e Shqipërisë garanton autonominë vendore si një nga shtyllat e funksionimit të pushtetit lokal, ndërsa ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë kompetencat, organet dhe mekanizmat e llogaridhënies brenda njësive të qeverisjes vendore. Çdo ndërhyrje nga pushteti ekzekutiv qendror në punët e brendshme administrative të bashkive cenon këtë autonomi dhe përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Shoqata jonë e konsideron të papranueshme që përfaqësuesit politikë të nivelit qendror të ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në emërime, shkarkime apo vendimmarrje të natyrës administrative në bashki, të cilat janë institucione të pavarura dhe të zgjedhura me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ftojmë institucionet përkatëse të mbikëqyrjes dhe monitorimit të qeverisjes vendore të reagojnë dhe të mbrojnë integritetin institucional dhe ligjor të pushtetit vendor. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë kufijtë kushtetues të përgjegjësive të tyre dhe të mos e vendosin në rrezik funksionimin demokratik të qeverisjes vendore. Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e parimeve të autonomisë vendore dhe të qeverisjes me përgjegjshmëri dhe integritet.

Drejtorët e bashkisë Vlorë kanë dorëzuar dorëheqjet kryebashkiakut Ermal Dredha, një ditë pasi kryeministri zhvilloi një mbledhje me stafin e institucionit dhe deputetët e zgjedhur të qarkut. Fokusi i diskutimeve në mbledhje ishin problematikat e qytetit, ku raportohet se Rama ka shprehur kritikat e tij mbi menaxhimin e sezonit turistik, problemet me furnizimin me ujë të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve lidhur me cilësinë e shërbimeve. Ai ka kërkuar dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve në Vlorë, dhe largimi i një pjese të administratës së Bashkisë së Vlorës. Jashtë kritikave nuk kanë ngelur edhe deputetët e qarkut, të cilat janë kritikuar për performancën e tyre të dobët gjatë periudhës së fundit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit