

Shkodër, 3 Korrik 2025 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka zhvilluar një takim të veçantë me një përfaqësi maturantësh nga shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës. I shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe nga drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, znj. Brisela Kadija, takimi kishte në qendër të vëmendjes promovimin e Akademisë së Sigurisë dhe nxitjen e të rinjve për të ndjekur Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit për studimet “Bachelor”.
Takimi u përqendrua në informimin dhe sensibilizimin e të rinjve mbi kriteret e pranimit në Akademinë e Sigurisë dhe mbi mundësitë që kjo Akademi ofron, si nga pikëpamja profesionale, ashtu edhe nga aspekti i kontributit qytetar.
Gjatë fjalës së tij drejtuar maturantëve, Drejtor Proda tha: “Policia nuk është thjesht një profesion, Policia është një mision, i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik. Qëllimi i këtij misioni është t’iu shërbesh qytetarëve, si dhe të mbrosh jetën dhe pronën e tyre. Nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë për t’iu shërbyer qytetarëve. Policia përherë ka nevojë për fytyra të reja, për energji të reja, për një imazh të ri. Ndaj ju ftoj që të zgjidhni Akademinë e Sigurisë! Zgjidhni Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin! Policia e Shtetit ju pret, Shqipëria ka nevojë për ju. Bashkohuni me ne, sepse siguria është mision që kërkon zemër!” Ai shtoi gjithashtu se Policia e Shtetit sot është një institucion më i konsoliduar, i trajnuar mirë, i besueshëm dhe në të njëjtin nivel me policitë partnere europiane dhe amerikane. “Policia është më e mirëpaguar dhe e pajisur me logjistikë bashkëkohore. Akademia e Sigurisë është e certifikuar nga Ministria e Arsimit, si dhe nga akademitë europiane dhe amerikane, me module të standardizuara ndërkombëtarisht”, nënvizoi Proda.
Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, znj. Brisela Kadija, falënderoi Drejtorin e Policisë për zgjedhjen e qytetit të Shkodrës për këtë takim të rëndësishëm me të rinjtë. Ajo u shpreh se Akademia e Sigurisë është një mundësi reale për karrierë dhe se mbajtja e uniformës së Policisë është privilegj dhe burim krenarie për çdo të ri.
Nga ana e tij, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Alban Preka, vlerësoi rëndësinë e sigurisë publike në qytet dhe falënderoi Drejtorin Proda për kontributin e Policisë së Shtetit në këtë drejtim. Ai i ftoi të rinjtë të angazhohen për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në komunitet, duke u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Në fund të takimit, dy maturante që kanë vendosur të aplikojnë në Akademinë e Sigurisë ndanë emocionet dhe motivimin e tyre për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, duke theksuar dëshirën për të kontribuar në sigurinë dhe mirëqenien e vendit.
Ky aktivitet ishte një shembull i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit, Zyrës Vendore të Arsimit dhe institucioneve vendore, me synim orientimin e të rinjve drejt profesioneve me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd