Transmetuar më 03-07-2025, 17:06

Një shtetas shqiptar, i dënuar për vrasje në Itali, është arrestuar nga Policia Shqiptare pas 25 vitesh në arrati. Ai u ndalua pasditen e 1 korrikut në qytetin e Vlorës, si rezultat i një operacioni të gjerë kërkimi të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Ngjarja për të cilën akuzohej i arrestuari ka ndodhur në mbrëmjen e 9 shkurtit 2000, në Ravenna të Italisë. Në atë kohë, i dyshuari ishte ende i mitur dhe, pas një konflikti të ashpër, goditi për vdekje me thikë një person.

Gjykata e Apelit në Bolonjë e dënoi autorin në vitin 2004 për veprat penale të vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armës së ftohtë, duke e shpallur fajtor me vendim të formës së prerë. Që nga ajo kohë, ai kishte arritur të shmangte drejtësinë, duke qëndruar i fshehur për më shumë se dy dekada.

Operacioni për kapjen e tij, i koduar “Objektivi”, u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim të ngushtë me Interpol Tirana, Policinë italiane të Ravenës dhe Forcën Operacionale të Policisë Shqiptare. Autoritetet italiane dhanë të dhëna kyçe hetimore që çuan në lokalizimin dhe arrestimin e të shumëkërkuarit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit