Transmetuar më 03-07-2025, 12:56

Kryemadhi: Arrestimi i Metës është politik, urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros

Tiranë – Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka reaguar ashpër ndaj akuzave ndaj Ilir Metës, duke deklaruar se arrestimi i tij ka motive politike dhe është rezultat i një urdhri të ardhur nga ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe Aleksandër Soros.

"Unë mendoj se arrestimi i tij është politik, është urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros," deklaroi Kryemadhi në një dalje për mediat. Ajo u shpreh se nuk i përgjigjet personalisht Metës, por atyre që, sipas saj, e manipulojnë dhe izolojnë atë.

Duke komentuar përfshirjen e kushëririt të saj, Adrian Shatku, Kryemadhi tha se lidhja është vetëm familjare dhe se përdorimi i kartës së identitetit për të bërë transparencë nuk është mëkat.

Ajo kritikoi ashpër edhe SPAK-un, duke e akuzuar për manipulim dhe shërbim ndaj interesave të grupeve të caktuara politike. "Çdo fjalë e shkruar në akuzat e SPAK-ut është manipulim," theksoi ajo.

Kryemadhi akuzoi edhe Tedi Blushin, duke thënë se ka përfituar nga Partia e Lirisë dhe ka larguar të gjithë bashkëpunëtorët e Metës. "Deputet u bë. Vizitat e fëmijëve i ka zëvendësuar Tedi Blushi, mos do takat dhe fustanin tim?" u shpreh ajo me ironi.

Në fund, Kryemadhi hodhi poshtë edhe zërat për lidhjen e Metës me Kastriot Ismailajn, duke kujtuar se ka qenë vetë ajo që ka mohuar një gjë të tillë në të kaluarën.

Deklarata e plotë:

“Nuk i përgjigjem z. Meta, iu përgjigjem atyre që e izolojnë dhe manipulojnë Metën. Përdorimi i kartës nuk është mëkat, është transparencë. Marrëdhënia ime me kushëririn tim Adrian Shatkun është familjare. Njerëzit që informojnë Metën kanë një qëllim. Unë mendoj se arrestimi i tij është politik, urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros.

SHBA paguan shumë para për reformën në drejtësi, nuk kanë paguar që prokurorët të bëjnë afera për grupe të caktuara. Ata që lexojnë fleterrufetë e SPAK-ut nga zyrat e Partisë së Lirisë, ju them çdo fjalë e shkruar qoftë në akuzë apo pretendimet e SPAK-ut, është manipulim. Ju gazetarët thoni që Ilir Meta ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn, ka qenë Monika Kryemadhi që tha që nuk është kështu.

Tedi Blushi mori ça kishte për të marrë, ia largoi gjithë njerëzit nga Partia Ilir Metës. E gënjeu, i tha na kanë hequr vjehrrin nga puna. Çfarë do më shumë Tedi Blushi? Deputet u bë. Vizitat e fëmijëve i ka zëvendësuar Tedi Blushi, mos do takat dhe fustanin tim?".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit