

Durrës, 3 korrik 2025 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr. 13 të Durrësit, ku katër persona i morën një qytetari shumën prej 1.5 milionë lekësh nën kërcënimin e armës. Policia ka arrestuar një nga autorët, ndërsa tre të tjerët janë shpallur në kërkim.
I arrestuari është shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës. Ai u kap pas hetimeve intensive nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës. Sipas denoncimit të bërë nga viktima, shtetasi A. I., ngjarja ndodhi një ditë më parë, kur katër persona e kanosën me armë dhe i morën shumën në fjalë.
Policia ka identifikuar edhe tre bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar, të cilët aktualisht janë në kërkim: R. I., 40 vjeç, L. I., 20 vjeç dhe E. M., 34 vjeç, të gjithë banues në Durrës. Forcat e rendit janë në ndjekje të tyre dhe vijon puna për kapjen dhe ndalimin e këtyre shtetasve.
Ngjarja është në hetim të mëtejshëm dhe pritet të zbardhen plotësisht motivet dhe rrethanat e saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd