Transmetuar më 02-07-2025, 19:05

Policia ka ndjekur sot një automjet në “Myslym Shyri”, Tiranë, pasi dyshohej se drejtuesi i automjetit kishte armë.

Ndjekja përfundoi pranë shkollës “Petro Nini”, ndërsa dy të rinjtë që ishin në makinë për t’i shpëtuar arrestimit, përplasën edhe disa mjete të parkuara në rrugë.

Pas kësaj ndjekjeje, është arrestuar shtetasi Skerdi Sina që ishte pasagjer, ndërsa shoferi i identifikuar nga policia është shpallur në kërkim.

I arrestuari Skerdi Sina nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai ishte shpallur në kërkim në janar të këtij viti, së bashku me katër persona të tjerë, pasi mbajtën të mbyllur në një banesë të marrë me qira ditore në Astir, një 21-vjeçare.

“Nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, vë në pranga njërin prej tyre dhe vijon puna për kapjen e shtetasit të dytë, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit.

Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.

Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.

Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.

Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.

Ngjarja në Astir

Ngjarja e rëndë në Astir, ndodhi në janar të këtij viti, kur policia mori një telefonatë shqetësuese nga një 21-vjeçare që ishte e kyçur në një apartament me qira ditore.

E reja u shpreh për blutë se ishte dhunuar nga disa persona, duke ngritur kështu alarmin dhe për forcat RENEA, që u angazhuan në nxjerrjen e saj nga apartamenti.

Për ngjarjen, u shpallën në kërkim katër persona, që u akuzuan për armëmbajtje, kokainë dhe jelekun antiplumb, gjëra këto që u gjetën tek banesa e marrë me qira ngjitur atij ku ishte ngujuar 21-vjeçarja.

Këta djem, së bashku me tri vajza, mes tyre dhe 21-vjeçarja, kanë festuar përgjatë gjithë mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit, në dy banesa të marra me qira ditore, në zonën e Astirit.

Vajza u shpreh në polici se shkoi me dëshirën e saj në banesë, por është frikësuar kur ka parë armët. Ndryshe nga sa ka pretenduar gjatë telefonatës, në polici ajo ka deklaruar se nuk e kanë dhunuar. Ndërkohë edhe nga akt ekspertiza e kryer rezultoi se nuk kishte shenja dhune.

Por, pasi u nxor nga apartamenti, e reja ishte në gjendje të rëndë psikologjike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit