

Sonda kineze e asteroidëve "Tianwen-2" ka marrë pamje të Tokës dhe Hënës, të cilat Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA) i publikoi të martën.
Sipas CNSA-së, sensori i lundrimit me fushë të ngushtë shikimi në këtë sondë ka kapur kohët e fundit imazhe të Tokës dhe Hënës, duke treguar një funksionim të mirë.
Imazhet e publikuara përfshijnë një fotografi të Tokës të marrë nga "Tianwen-2" kur ishte përafërsisht 590 mijë kilometra larg planetit, si edhe një fotografi të re të Hënës të bërë kur sonda ishte rreth së njëjtës largësi nga Hëna. Pasi pamjet u dërguan në Tokë, ato u përpunuan dhe u prodhuan nga kërkuesit shkencorë.
Deri të martën në mëngjes, sonda "Tianwen-2" ka funksionuar pa probleme në orbitë për më shumë se 33 ditë, duke arritur një largësi prej më shumë se 12 milionë kilometrash nga Toka, bëri të ditur CNSA-ja.
Kina e nisi misionin e vet të parë të marrjes së mostrave nga një asteroid, "Tianwen-2", më 29 maj, në përpjekje për të hedhur dritë mbi formimin dhe evolucionin e asteroidëve dhe sistemit diellor të hershëm.
Misioni "Tianwen-2" synon të arrijë qëllime të shumta gjatë një ekspedite dhjetëvjeçare: mbledhjen e mostrave nga asteroidi afër Tokës "2016HO3" dhe eksplorimin e kometës së brezit kryesor "311P", që është më larg se Marsi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd