Transmetuar më 01-07-2025, 08:27

Tiranë, 1 Korrik 2025 – Sektori fason në Shqipëri përballet sërish me krizë. Shoqata “ProEksport Albania” ka paralajmëruar mbyllje të fabrikave dhe shkurtime të mëdha në vendet e punës pas përfundimit të sezonit veror, për shkak të tkurrjes së kontratave me partnerët e huaj, zhvlerësimit të euros dhe kostove në rritje.

Kryetari i shoqatës, Edvin Prençe, theksoi se industria e veshjeve dhe këpucëve punëson mbi 60 mijë persona, shumica gra dhe të rinj në zonat ku fasonët janë punëdhënësit kryesorë. Sipas tij, mungesa e një ndërhyrjeje nga institucionet shtetërore mund të çojë në humbjen e qindra vendeve të tjera pune deri në fund të vitit.

“Reduktimi i porosive ka sjellë ndërprerje kontratash, ulje të orëve të punës dhe mbyllje të linjave të prodhimit”, paralajmëron Prençe.

Sipas tij, shkaqet kryesore që po rëndojnë mbi sektorin janë:

forcimi i vazhdueshëm i lekut, që dëmton të ardhurat nga eksportet;

kostot e larta të prodhimit, sidomos për energjinë dhe fuqinë punëtore;

mungesa e një kursi të mbrojtur industrial për eksportuesit;

dhe rënia e kërkesës nga tregjet europiane, e lidhur me pasigurinë ekonomike.

Nga nëntori 2023 deri në nëntor 2024, në këtë sektor janë mbyllur rreth 10 mijë vende pune për shkak të vështirësive ekonomike. Ndër zonat më të prekura përmenden Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Lezha dhe Shkodra.

Për të frenuar këtë krizë, Prençe sugjeron:

vendosjen e një kursi të mbrojtur për transaksionet eksportuese;

paketa lehtësuese fiskale për bizneset fason;

kalimin e modelit fason në cikël të plotë prodhimi me vlerë të shtuar;

dhe zgjerimin e partnerëve tregtarë jashtë BE-së.

“Nëse këto masa nuk merren, viti 2025 mund të jetë ndër më të vështirët për industrinë prodhuese në vend”, thekson ai.

Sipas INSTAT, pavarësisht një rritjeje të lehtë të eksporteve në maj, tendenca për 5-mujorin e parë të vitit është në rënie. Eksportet e tekstileve dhe artikujve tekstile ranë me 2,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ato të këpucëve me 0,5%.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit