

Elindur më 8 shkurt 1921 në Idaho, si Julia Jean Turner, ajo erdhi në jetë në një familje të varfër punëtore. Babai u vra brutalisht pas një loje fati. E rritur në kushte të vështira, mes mungesash, zhvendosjesh të vazhdueshme dhe përjetimesh të dhimbshme, Lana gjeti njëfarë shpëtimi në shkëlqimin iluziv të Los Anxhelosit. Aty, në moshën vetëm 16-vjeçare, u zbulua rastësisht në një lokal nga një redaktor i “Hollywood Reporter”. Brenda një kohe të shkurtër, ajo u bë një nga yjet më të ndritshëm të studios MGM, duke fituar miliona falë bukurisë joshëse dhe talentit të saj natyral.
Roli i saj si femme fatale në filmin noir “The Postman Always Rings Twice” (1946) e shndërroi Lana Turnerin në një ikonë të padiskutueshme të erotizmit në ekranin e madh. Me flokët e argjendtë, lëkurën si fildish dhe një shikim që të linte pa frymë, ajo jo vetëm magjepste audiencën, por vendoste në provë edhe bashkëaktorët më të njohur të epokës.
Megjithatë, jeta private e Lana Turnerit ishte po aq e trazuar dhe dramatike sa rolet që luante në ekran. Ajo u martua tetë herë dhe u përfshi në lidhje shpesh të turbullta e të pasionuara. Skandali më i madh shpërtheu në vitin 1958, kur i dashuri i saj, gangsteri Johnny Stompanato, u vra me thikë nga vajza e saj 14-vjeçare, Cheryl. Edhe pse gjykata e shpalli vajzën të pafajshme, duke e cilësuar veprimin si vetëmbrojtje, ajo natë mbeti e mbështjellë me mister, dhe dyshimet rreth asaj që ndodhi vërtet nuk janë shuar asnjëherë.
Lana Turner nuk u thye kurrë. Ajo vazhdoi të shkëlqente në role të suksesshme, përfshirë filmin “Peyton Place”, që i solli një nominim për Oscar, si dhe “Imitation of Life”. Mbetej një figurë komplekse, një grua që i mbijetoi sfidave të Hollivudit, duke jetuar gjithmonë në ekuilibrin delikat mes lavdisë dhe skandaleve. Turner ndërroi jetë në vitin 1995, në moshën 74-vjeçare, si pasojë e kancerit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






