Transmetuar më 30-06-2025, 08:40

Tiranë, 30 Qershor 2025 – Vlera e rezervave të arit të Bankës së Shqipërisë ka kapur nivelin më të lartë ndonjëherë, duke arritur në 313 milionë euro në fund të prillit, një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Pavarësisht se sasia fizike e arit nuk ka ndryshuar dhe mbetet rreth 109 mijë onz (3.4 tonë), rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar drejtpërdrejt në vlerësimin e kësaj pasurie. Në prill, një onz ar arriti të shkëmbehej me 285 mijë lekë, ndërsa në qershor kjo vlerë është ngjitur në 289 mijë lekë, duke reflektuar një rritje prej 32% në krahasim me një vit më parë.

Blerja e fundit e arit nga Banka është realizuar në shkurt 2023, kur u shtuan në rezervë 28 lingota ar (rreth 0.35 tonë).

Aktiualisht, ari përbën 4.7% të vlerës së përgjithshme të rezervës valutore, një peshë që ka ardhur në rritje krahasuar me vitet e mëparshme.

Gjithsej, rezerva valutore e vendit në fund të shkurtit 2025 ka arritur në 6.73 miliardë euro, me një rritje prej 23.6% krahasuar me vitin e kaluar, pjesërisht falë blerjeve masive të valutës nga Banka e Shqipërisë dhe emetimit të Eurobondit prej 650 milionë euro, që u transferua në llogaritë qeveritare në Bankën Qendrore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit