

Rikthehet përndjekësi serial nga burgjet franceze. 35-vjeçari shkodran Fabjan Dodaj nuk po zë mend, teksa vijon me pasionin e tij për të kërcënuar e shantazhuar vajzat shqiptare nëpërmjet rrjeteve sociale.
Për herë të parë emri i tij u bë publik gushtin e vitit të kaluar, kur edhe pse nga qelitë e burgut ku ligji parashikon që një i dënuar nuk mund të mbajë celular, i riu shqiptar posedonte një të tillë, e nëpërmjet adresave false hapte llogari në Instagram e Tik-Tok dhe publikonte foto denigruese të vajzave të ndryshme.
Një vit më parë policia do të deklaronte se 35-vjeçarit i ishin dokumentuar mbi 60 raste të tilla dhe në bashkëpunim me autoritetet franceze iu bllokua celulari në qeli.
Por tashmë pas një viti emri i tij rikthehet sërish në duart e policisë dhe sërish me një njëjtën histori. Hapje adresash false me emra dhe foto të vajzave shqiptare dhe mbi to përshkrime denigruese.
Së fundmi ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pas denoncimit që një 32-vjeçare ka bërë ndaj tij. E reja u tha hetuesve se prej kohësh ai e përndjek me mesazhe denigruese dhe kërcënuese në rrjetin social Instagram.
Ky nuk është rasti i parë që denoncohet, dhe mesa duket as edhe i fundit. Pak muaj më parë ai u denoncua edhe në policinë e Lezhës po për përndjekje. Por sërish duket se Fabjan Dodaj arrin të sigurojë aparate celularë duke i futur në burgun “Lyon Cobras” në Francë, aty ku vuan dënimin për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






