

Anëtari grupit ‘Hellbanianz’ i njohur me pseudonimin “Skilla”, Sabajet Shuti, 31 vjeç, është dënuar në Londër me burgim të përjetshëm, nën akuzën e vrasjes së 27-vjeçarit Lumturi Zeqja.
Vëllai i Shutit, Emirlion Shuti , 30 vjeç, edhe ai pjesë i Hellbanianz i njohur me pseudonimin “Mili HB”, u shpall fajtor për përleshje në po të njëjtën ngjarje. Ai mori një dënim me 20 muaj burg i konvestuar në shërbim prove.
Gjykata dëgjoi se si Sabajet Shuti nisi sulmin mbrëmjen e 16 tetorit 2022 në Church Lane, Leytonstone.
Lumturiu po qëndronte jashtë një kafeneje me mikun e tij kur vëllezërit Shuti mbërritën rreth orës 22:40 me dy makina. Vëllezërit shkuan në një kafene tjetër, por pak më vonë Emirlion Shuti u kthye në njërën nga makinat dhe filloi ta ngiste atë përgjatë rrugës.
Shoku i Lumturiut iu afrua Emirlionit dhe i tha të ndalonte, por në vend që ta bënte këtë, Emirlioni doli nga makina dhe foli me vëllain e tij dhe të tjerët që ishin jashtë kafenesë. Situata u përshkallëzua shpejt pasi Emirlion Shuti e goditi me grusht shokun e Lumturiut. Gjatë grindjes që pasoi, Sabajet Shuti nxori një thikë dhe e goditi dy herë Lumturiun, dhe shokun e tij një herë.
Lumturi Zeqaj
Të dy vëllezërit Shuti ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë Lumturiun të vdekur në trotuar. Shërbimet e urgjencës mbërritën, por pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mundën ta shpëtonin. Shoku i tij u dërgua në spital për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente dhe për fat të mirë i mbijetoi sulmit.
Detektivët filluan të mblidhnin prova dhe nga qasja në pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonave celularë arritën të identifikonin se kush ishte përgjegjës.
Një ditë pas vrasjes, Sabajet Shuti bëri plane për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Ai ndryshoi pamjen e tij duke rruar mjekrën dhe më pas udhëtoi për në Folkestone përpara se të kalonte Kanalin në Francë. U lëshua një urdhër arresti për të dhe rreth një vit pas sulmit, më 3 tetor 2023, Sabajet Shuti u arrestua në Suedi. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me pasojat e veprimeve të tij.
Gjatë periudhës ndërmjetëse, detektivët kishin arrestuar dhe të akuzuarin Emirlion Shutin për rolin e tij në sulm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






