

Krim tronditës në Turqi: E vrau ish-të fejuarën e tij 18-vjeçare, e cila kishte mbetur shtatzënë pas një përdhunimi
Një ngjarje makabre ka tronditur opinionin publik në Turqi: një vajzë 18-vjeçare, shtatzënë në muajin e gjashtë, u vra nga i fejuari i saj, i cili nuk shfaqi asnjë pendesë për veprimin e tij.
E dhunuar dhe më pas e vrarë nga i fejuari
Oya Budak, një vajzë e re nga Stambolli, ishte 5.5 muajsh shtatzënë kur u qëllua me armë nga 19-vjeçari Samet, i cili më parë ishte fejuar me të. Vajza dyshohet se ishte dhunuar seksualisht nga një koleg pune i saj, para fejesës, dhe nga kjo dhunë kishte mbetur shtatzënë.
Sipas portalit turk dha.com.tr që citon noa.al, Samet fillimisht ishte fejuar me Oyën, por kur mësoi për shtatzëninë, anuloi fejesën. Të enjten në mbrëmje, ai e telefonoi duke i kërkuar një takim “për të sqaruar gjërat”. Oya pranoi të takohej me të, por mori me vete edhe vëllain e saj 13-vjeçar.
Gjatë takimit, në rrethana ende të paqarta, 19-vjeçari nxori një armë dhe e qëlloi Oyën në gjoks dhe në vesh. Më pas, ai u arratis me makinën e babait të tij.
Nuk arritën të shpëtojnë as vajzën, as foshnjën
Dëshmitarë që dëgjuan të shtënat njoftuan menjëherë policinë dhe ambulancën. Oya u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni, por për fat të keq, as ajo dhe as foshnja nuk arritën të mbijetojnë.
“Nuk pendohem” – tha vrasësi para kamerave

Policia organizoi një operacion në zonën përreth dhe e arrestoi Sametin në shtëpinë e xhaxhait të tij. Ai u dërgua menjëherë në paraburgim.
Sipas Ekol TV, teksa po dërgohej përpara prokurorit, një gazetar e pyeti pse e kishte vrarë Oyën. Përgjigja e tij ishte tronditëse: “Nuk pendohem, hajde ik tani!”

Dëshmia e gjyshit të viktimës
Orhan Budak, gjyshi i Oyës, deklaroi se mbesa e tij i kishte rrëfyer se ishte dhunuar seksualisht nga një koleg i punës. Familja e kishte mësuar për shtatzëninë pas fejesës me Sametin. Ai tha gjithashtu se Oya e kishte lajmëruar për takimin me të fejuarin, por nuk kishte shfaqur frikë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






