Transmetuar më 27-06-2025, 23:54

Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka paditur të premten rrjetin Fox News për 787 milionë dollarë, duke e akuzuar për shpifje në lidhje me një telefonatë të tij me Presidentin Donald Trump, që ndodhi para se presidenti të dërgonte trupa të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos, mes trazirave anti-emigracion këtë muaj.

Sipas raportimeve të Politico, Newsom pretendon se moderatori i Fox News, Jesse Watters, ka shpifur publikisht kur tha në emisionin e tij televiziv se guvernatori gënjeu për bisedën telefonike me Trump, para se presidenti të vendoste për dislokimin e trupave federale në Kaliforni.

Avokatët e Newsom argumentojnë se në emisionin e Watters u transmetua një video e manipuluar e Trump, me qëllim për të përforcuar idenë se Newsom ka gënjyer publikun.

Shuma për të cilën po paditet Fox News është pothuajse e njëjtë me 787.5 milionë dollarët që rrjeti pagoi ndaj Dominion Voting Systems në vitin 2023, pas një çështjeje tjetër për shpifje lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Nëse Fox News dëshiron të gënjejë popullin amerikan në emër të Donald Trumpit, atëherë duhet të përballet me pasoja — ashtu si në rastin Dominion,” deklaroi Newsom për Politico. “Derisa Fox të fillojë të thotë të vërtetën, unë do të vazhdoj të luftoj kundër makinës së tyre propagandistike.”

Fox News, nga ana tjetër, e cilësoi padinë si një akt politik të motivuar:

“Ky është një spektakël i pastër publicitar nga Guvernatori Newsom, i cili kërkon të mbyllë gojën e kritikëve. Kjo padi është e pavlefshme dhe ne do ta mbrojmë fort në gjykatë,” thuhet në deklaratën e rrjetit.

Sipas avokatëve të Newsom, guvernatori është i gatshëm ta tërheqë padinë nëse Fox News tërheq pretendimet dhe Jesse Watters kërkon falje publikisht në transmetim direkt.

Padia është ngritur në Gjykatën e Lartë të Delaware, shteti ku është e regjistruar Fox News. Në dokumentet gjyqësore thuhet se telefonata e fundit midis Trump dhe Newsom ka ndodhur më 7 qershor dhe ka zgjatur rreth 16 minuta, një ditë përpara se presidenti të dërgonte 2,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë në Los Anxhelos, gjë që, sipas padisë, është bërë kundër vullnetit të guvernatorit.

Më 10 qershor, Trump u tha gazetarëve se kishte folur me Newsom “një ditë më parë”, duke nënkuptuar se biseda kishte ndodhur ditën kur 700 marinsa amerikanë u vendosën në qytet. Menjëherë pas këtyre komenteve, Newsom e mohoi publikisht pretendimin e Trump.

Më vonë atë mbrëmje, Jesse Watters shfaqi një video të prerë të deklaratave të Trump dhe pyeti:

“Përse do të gënjejë Newsom dhe të thotë se Trump nuk e kishte telefonuar?” Ai gjithashtu shfaqi një screenshot të historikut të telefonatave të Trump, që tregonte se biseda e fundit me Newsom ishte më 7 qershor.

Avokatët e Newsom theksojnë se ky incident mund të dëmtojë rëndë besueshmërinë e guvernatorit në zgjedhjet e ardhshme.

Në padi thuhet: “Ndoshta nuk është për t’u habitur që një njeri afër të tetëdhjetave me histori deklaratash të çoroditura dhe postimesh të papërmbajtura gjatë natës, mund të ngatërrojë datat,” – duke iu referuar Trumpit – “por vendimi i Fox për të mbuluar gabimin e presidentit nuk mund të justifikohet lehtë.”/noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit