Transmetuar më 27-06-2025, 20:16

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë kanadeze për të vendosur një taksë mbi shërbimet dixhitale, duke e cilësuar këtë masë si një “sulm të drejtpërdrejtë dhe flagrant ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në një deklaratë të publikuar sonte në Truth, Trump akuzon Kanadanë se për vite me radhë ka vendosur tarifa deri në 400% mbi produktet e bulmetit nga fermerët amerikanë, ndërkohë që tani po kopjon Bashkimin Europian duke targetuar gjigandët teknologjikë të SHBA-së.

“Bazuar në këtë taksë të egër, ne po ndërpresim menjëherë të gjitha diskutimet tregtare me Kanadanë. Brenda shtatë ditëve të ardhshme, do të njoftojmë tarifën që Kanadaja do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thuhet në deklaratë.

Trump thekson se vendimi i Kanadasë për taksimin e kompanive amerikane është “i pajustifikueshëm dhe armiqësor” dhe paralajmëron masa të ashpra në ditët në vijim.

Deklarata e tij vjen në një moment kur tensionet tregtare ndërmjet SHBA-së dhe vendeve aleate si Kanadaja dhe Bashkimi Europian janë rritur, veçanërisht në lidhje me politikat e taksave mbi teknologjinë dhe produktet bujqësore.

Deklarata e plotë

“Sapo jemi informuar se Kanadaja, një vend shumë i vështirë për të bërë TREGTI, përfshirë faktin që për vite me radhë u ka vendosur fermerëve tanë tarifa deri në 400% mbi produktet e bulmetit, sapo ka njoftuar se do të vendosë një taksë mbi Shërbimet Dixhitale ndaj Kompanive tona Teknologjike Amerikane, gjë që përbën një sulm të drejtpërdrejtë dhe flagrant ndaj vendit tonë. Është e qartë se po kopjojnë Bashkimin Europian, i cili ka bërë të njëjtën gjë dhe me të cilin jemi aktualisht në diskutim. Bazuar në këtë Taksë të turpshme, ne po ndërpresim menjëherë TË GJITHA bisedimet mbi Tregtinë me Kanadanë. Kanadasë do t’i bëhet me dije tarifa që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda shtatë ditëve të ardhshme. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit