

Stamboll, 27 qershor 2025 – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur opinionin publik në Turqi, ku një vajzë 18-vjeçare shtatzënë u vra me armë zjarri nga ish-i fejuari i saj 19-vjeçar në një rast të dyshuar si "vrasje nderi".
Viktima, Oya Budak, ishte 5 muaj e gjysmë shtatzënë, pasi më herët ishte abuzuar seksualisht nga autori, Samet A. Pas marrjes vesh për shtatzëninë, ai kishte anuluar fejesën dhe të enjten në mbrëmje e thirri për një takim “për të folur”. Oya shkoi në takim e shoqëruar nga vëllai i saj 13-vjeçar, por situata degjeneroi në dhunë.
Sipas autoriteteve, Sameti nxori një armë dhe e qëlloi Oyan në gjoks dhe në vesh. Më pas, u largua me makinën e babait të tij, ndërsa banorët e zonës njoftuan menjëherë policinë. E reja u transportua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por fatkeqësisht humbi jetën bashkë me foshnjën që mbante në bark.
Autori u arrestua disa orë më vonë në banesën e xhaxhait të tij, ku ishte fshehur. Gjatë shoqërimit në prokurori, kur u pyet nga gazetarët për motivin e vrasjes, ai u përgjigj pa pendesë: “Nuk pendohem, largohu!”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik turk, duke rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës ndaj grave dhe vrasjeve për "nder".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






