

Vlorë, 27 qershor 2025 – Shqipëria ka zyrtarizuar rolin e saj si aksionere në resortin turistik që pritet të ndërtohet në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Përfaqësimi i shtetit në këtë projekt do të bëhet përmes një kompanie të re shtetërore, të regjistruar më 26 qershor në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin Albanian State Development & Real Estate.
Kompania do të ketë për detyrë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e pasurive të paluajtshme të shtetit, si dhe përfaqësimin në projekte strategjike, përfshirë resortin luksoz në Sazan. Ajo do të jetë e autorizuar të monitorojë kontratat mes Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC) dhe palëve të treta, të projektojë dhe zbatojë zhvillime urbane dhe të bashkëpunojë me agjenci të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shoqëria zotërohet 100% nga AIC, me një kapital fillestar prej 50 milionë lekësh. Administrator i saj do të jetë Julian Adili, aktualisht drejtor i Divizionit Ligjor dhe të Pajtueshmërisë pranë AIC.
Projekti i Kushner në Sazan është shpallur “Investim Strategjik” në fund të vitit 2024 dhe kap vlerën e 1.4 miliardë eurove. Ndërtimi do të shtrihet në rreth 45 hektarë ose 8% të ishullit dhe do të përfshijë një marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca luksoze, zona gastronomike dhe hapësira rekreative. Nga ky zhvillim pritet të punësohen mbi 1,000 persona.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd