Transmetuar më 26-06-2025, 22:51

Ekspertët paralajmërojnë për pasoja të rënda në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale

Tiranë, 26 Qershor 2025 – Vendimi i udhëheqësve të NATO-s për të miratuar një rritje të ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes – deri në 5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) – ka ngjallur shqetësime të forta në mesin e vendeve anëtare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, PBB-ja e Shqipërisë në vitin 2024 arriti në rreth 25.7 miliardë euro. Deri tani, vendi kishte si objektiv përmbushjen e kërkesës prej 2% të PBB-së për shpenzime në fushën e mbrojtjes, që përkthehej në 514 milionë euro në vit. Por me objektivin e ri prej 5%, kjo shifër pritet të kapë shifrën e 1.3 miliardë eurove, një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, e cilëson këtë vendim si të papërballueshëm për Shqipërinë, duke nënvizuar se qeveria do të përballet me zgjedhje të vështira: rritje të borxhit publik ose shkurtim të shpenzimeve në sektorët socialë.

“Dy janë opsionet: të rritet borxhi, ose të shkurtohen shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Nga do t’i gjejë Shqipëria këto para?”, u shpreh Malaj.

Në vitin 2025, buxheti i arsimit përfaqëson 2.36% të PBB-së, ai i shëndetësisë 2.78%, ndërsa skema e pensioneve zë 7.4% të PBB-së. Një rritje drastike në mbrojtje, sipas ekspertëve, mund të çojë në reduktime të rënda në këto sektorë jetikë.

“Mund të kemi paqe, por jo prosperitet. Nëse nuk investojmë në cilësinë e arsimit dhe mbrojtjes sociale, paqja bëhet e paqëndrueshme,” shtoi Malaj.

Aktualisht, buxheti i mbrojtjes në Shqipëri është 52.7 miliardë lekë. Nëse aplikohet objektivi i ri i NATO-s, ai duhet të rritet mbi 2.6 herë, duke kaluar shifrën 130 miliardë lekë.

Përtej aspektit financiar, ekspertët ngrenë shqetësime edhe për mospërputhje me rregullat themelore të NATO-s, ku mbrojtja kolektive (Neni 5 i Traktatit) nuk kushtëzohet me nivelin e kontributit financiar.

“Nuk është në dokumentet e NATO-s që ‘po nuk pagove, nuk mbrohesh’. Janë të nevojshme rritje të kujdesshme të shpenzimeve, por jo vendime që deformojnë frymën e aleancës,” thonë ekspertët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit