Transmetuar më 26-06-2025, 22:23

Londër, 26 qershor 2025 – Ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar një projekt novator dhe tejet i diskutueshëm, që synon të ndërtojë nga e para blloqet ndërtuese të jetës njerëzore në mënyrë sintetike. Ky është projekti i parë i këtij lloji në botë dhe mbështetet financiarisht nga Wellcome Trust, organizata më e madhe bamirëse mjekësore në botë, e cila ka dhënë një fond fillestar prej 10 milionë paundësh.

Studiuesit synojnë që përmes kontrollit të plotë mbi strukturën e ADN-së, të kuptojnë më mirë funksionin e gjeneve dhe të zhvillojnë trajtime të reja për sëmundje të pashërueshme. Dr. Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare në Kembrixh, e konsideron këtë projekt si “hapin tjetër madhor në biologji”.

“Qielli është kufiri. Po shqyrtojmë terapi që përmirësojnë cilësinë e jetës gjatë plakjes dhe krijimin e qelizave të reja që mund të përdoren për të riparuar organe të dëmtuara si mëlçia, zemra apo sistemi imunitar,” u shpreh ai.

Megjithatë, projekti ka ngjallur edhe shqetësime të mëdha etike dhe sociale. Kritikët druajnë se zhvillimi i kësaj teknologjie mund të çojë drejt krijimit të “njerëzve të përmirësuar” ose përdorimit të saj për qëllime ushtarake e të rrezikshme. Dr. Pat Thomas, nga grupi Beyond GM, thekson se “shkenca nuk është gjithmonë neutrale dhe mund të ripërdoret për të shkaktuar dëm”.

Për të adresuar këto rreziqe, një program paralel kërkimi etik dhe social do të zhvillohet nga Universiteti i Kentit, i udhëhequr nga prof. Joy Zhang. Ai do të analizojë ndikimet e mundshme dhe do të mbledhë opinione nga publiku dhe ekspertët.

Sipas Dr. Tom Collins nga Wellcome Trust, projekti synon të jetë sa më transparent dhe etik: “Kjo teknologji do të zhvillohet një ditë, me ose pa ne. Ne duam ta bëjmë këtë tani, në mënyrën më të hapur dhe të përgjegjshme të mundshme”.

Ky projekt përkon me 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor. Këtë herë, synimi nuk është vetëm leximi i kodit të jetës, por edhe krijimi i tij nga e para.

ADN-ja, që gjendet në çdo qelizë të trupit, përmban informacionin gjenetik të nevojshëm për funksionimin e organizmit dhe është përbërë nga vetëm katër bazë të thjeshta: A, G, C dhe T – të cilat tani studiuesit synojnë t’i rindërtojnë në mënyrë tërësisht artificiale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit