

Vlorë, 26 qershor 2025 – Vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, kanë zhvilluar një vizitë private në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nga masa të jashtëzakonshme sigurie për shkak të tensioneve globale dhe profilit të lartë të çiftit.
Burime mediatike ndërkombëtare raportojnë se vizita e çiftit përfshiu një ekspeditë në ishullin e Sazanit, ku pritet të ndërtohet një resort luksoz me investime të drejtpërdrejta nga Kushner. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, një zone gastronomike dhe njësi akomodimi premium në një sipërfaqe prej 45 hektarësh, me një vlerë investimi që kap shifrën e 1.4 miliardë eurove.
Më herët, në dhjetor 2024, qeveria shqiptare e nxori ishullin e Sazanit nga përdorimi ushtarak, duke hapur rrugën për zhvillime strategjike turistike.
200 agjentë për sigurinë Për shkak të origjinës hebreje të Kushner dhe situatës së tensionuar mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, siguria për çiftin ishte në nivelin maksimal. Mbi 200 agjentë të shërbimeve amerikane u dislokuan në Vlorë për të garantuar lëvizjet e tyre.
Ivanka dhe Jared u panë duke shëtitur në shëtitoren Lungomare, ku u fotografuan në një atmosferë të qetë, ndërsa më pas drekuan në restorantin “Gjurma”, ku u pritën nga shefi i kuzhinës Aldo Mehmeti.
Vizita e tyre po interpretohet si një sinjal i fortë për angazhimin e drejtpërdrejtë në projektin ambicioz në ishullin e Sazanit, i cili pritet të transformojë zonën në një qendër të turizmit elitar në Mesdhe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






