Transmetuar më 26-06-2025, 12:31

Drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Sam Altman, tha së fundmi se teknologjia e re e Inteligjencës Artificiale do të ketë një ndikim pozitiv tek djali i tij i mitur dhe fëmijët e mundshëm në të ardhmen. Altman, i cili njoftoi lindjen e fëmijës së tij të parë më 22 shkurt, tha se fëmijët e tij do të rriten për të qenë më të aftë për shkak të mjeteve si ChatGPT. Por “fëmijët e mi nuk do të jenë kurrë më të zgjuar se AI-ja”-tha Altman në episodin e parë të Podcastit OpenAI.

“Ata do të rriten shumë më të aftë se ne, të aftë të bëjnë gjëra që nuk mund t’i imagjinojmë dhe do të jenë vërtet të mirë në përdorimin e AI-së”. Altman tha se mendon më shumë për atë që AI do t’i ofrojë brezit të ardhshëm sesa për atë që do t’u marrë. “Nuk mendoj se fëmijët e mi do të shqetësohen ndonjëherë nga fakti që nuk janë më të zgjuar se AI”-shtoi ai. Pak më vonë, Altman përsëriti se përparimet në teknologjinë e inteligjencës artificiale ka të ngjarë të sjellin probleme për shoqëritë dhe sistemet shoqërore të ardhshme, duke përfshirë një numër në rritje të njerëzve që varen nga këto mjete por ai beson se përfitimet në fund të fundit do të tejkalojnë disavantazhet.

“Do të ketë probleme. Njerëzit do të zhvillojnë këto marrëdhënie parasociale disi problematike ose, ndoshta, shumë problematike dhe shoqëria do të duhet të gjejë mbrojtje të reja. Por anët pozitive do të jenë të jashtëzakonshme”-ka vlerësuar ai. Altman, i cili e përshkroi veten në episod si “jashtëzakonisht të fiksuar pas fëmijëve” tha gjithashtu se ChatGPT luan një rol të madh në stilin e tij të prindërimit. Ai tha se në javët e para të jetës së djalit të tij, ai “vazhdimisht” i bënte pyetje chatbot-it të inteligjencës artificiale se si të ofronte kujdes bazë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit