Transmetuar më 26-06-2025, 08:22

Tiranë, 26 qershor 2025 – Numri i bizneseve të vogla po bie në 8 nga 12 qarqet e Shqipërisë, ndërsa vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora shënojnë rritje, duke pasqyruar shpërndarjen gjithnjë e më të pabarabartë të zhvillimit ekonomik në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, numri i bizneseve me 1 deri në 4 punonjës është rritur me vetëm 1% në nivel kombëtar krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kjo rritje e lehtë është ndikuar kryesisht nga zgjerimi në qendrat urbane, ndërsa në 8 qarqe është regjistruar rënie. Rënia më e theksuar është në Korçë (−5.21%), ndjekur nga Elbasani (−4.07%) dhe Gjirokastra (−2%).

Ulje më të lehta janë shënuar në qarqet Shkodër, Dibër, Berat, Fier dhe Kukës, me një përqindje që varion nga −0.55% deri në −1%.

Në kahun tjetër, Tirana mbetet epiqendra e aktivitetit ekonomik në vend. Kryeqyteti ka shtuar 1,489 biznese të vogla gjatë vitit 2024, që përfaqëson një rritje prej 2.81%. Durrësi dhe Vlora ndjekin me rritje përkatëse prej 2.46% dhe 1.55%.

Lëvizjet e brendshme të popullsisë dhe emigrimi jashtë vendit po ndikojnë ndjeshëm në shpërndarjen e bizneseve. Qarqet që humbin popullsi përballen me rënie të kërkesës lokale dhe zvogëlim të bazës së konsumatorëve dhe fuqisë punëtore, çka e bën të vështirë mbijetesën e bizneseve të vogla.

Këto biznese – kryesisht të natyrës familjare – janë tregues kyç i vitalitetit ekonomik dhe social. Rënia e tyre shoqërohet zakonisht me tkurrje demografike dhe përkeqësim të kushteve socio-ekonomike në zonat përkatëse.

Ndërkohë, rritja e popullsisë urbane në Tiranë dhe Durrës përmes migrimit të brendshëm po gjeneron kërkesë të lartë për shërbime dhe ndihmon rritjen e bizneseve të vogla në sektorë si gastronomia, transporti, teknologjia dhe shërbimet për qytetarët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit