

Tiranë, 25 qershor 2025 – Policia e Tiranës ka arrestuar një 33-vjeçar të shpallur në kërkim për shpërndarje droge në ambientet e natës, si pjesë e megaoperacionit antidrogë të koduar “Blloku 33”.
Shtetasi A.B., 33 vjeç, u lokalizua dhe u kap në zonën e Kasharit nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 6, pasi u siguruan informacione operative mbi vendndodhjen e tij. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Me arrestimin e këtij shtetasi, shkon në 27 numri i personave të vënë në pranga në kuadër të operacionit “Blloku 33”, që ka në shënjestër rrjetet e shpërndarjes së drogës në kryeqytet, veçanërisht në lokale nate.
Policia njofton se vijojnë kërkimet për kapjen e edhe 6 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






