

Dy nga plazhet më të bukura dhe autentike të Rivierës Shqiptare, Gjiri i Gramës dhe ai i Gjipesë janë renditur në listën prestigjioze të 50 plazheve më të mira në Europë për vitin 2025.
Ky vlerësim është rezultat i një procesi përzgjedhjeje që përfshin rreth 1,000 profesionistë udhëtimesh, “ambasadorë” të njohur plazhesh dhe një juri të specializuar ndërkombëtare.
Gjiri i Gramës është renditur në vend të 12, ndërsa Gjipe në vend të 30 duke kaluar madje edhe disa prej destinacioneve më në zë në brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë apo Francës, të cilat prej vitesh kanë kryesuar preferencat e vizitorëve nga e gjithë bota.
Kjo përzgjedhje realizohet çdo vit nga “The worlds 50 best beaches”, një nga platformat më të njohura globale për renditjen e plazheve, së cilës i referohet vazhdimisht edhe vetë Forbes.

Për t’u renditur në këtë listë plazhet duhet të plotësojnë disa kritere që lidhen kryesisht me natyrën, qetësinë dhe përvojën e përgjithshme që ato ofrojnë. Kriteri kryesor është që plazhi të jetë unik, me një peizazh që dallohet nga të tjerët, autentik, larg zonave të mbipopulluara, larg zhurmës, i paprekur, ideal për të forcuar lidhjen me natyrën dhe padyshim me pamje mbresëlënëse. Profesionistët që votojnë plazhet duhet të bëjnë një përshkrim bindës që më pas vlerësohet nga ambasadorët e plazheve dhe ekspertët ndërkombëtarë, të cilët e bëjnë renditjen bazuar në kriteret e lartpërmendura.
Gjiri i Gramës që është bërë pjesë e kësaj liste prestigjioze është një nga perlat e bregdetit të Jonit. Këtu deti hyn mes masiveve shkëmbore duke krijuar një plazh fantastik ku bie në sy uji kristal i pastër me një kombinim unik ngjyrash.
Ndërsa Gjiri i Gjipesë nga ana tjetër është i vendosur në hyrje të një kanioni spektakolar duke u bërë simbol i ekoturizmit dhe aventurës në Shqipëri. Me akses si nga bregu ashtu edhe nga shtegu, ky gji ofron pamje mahnitëse dhe një natyrë gati të virgjër, shumë pak të eksploruar.
Përfshirja e këtyre dy gjireve në këtë renditje dëshmon edhe njëherë se Shqipëria është një vend që ofron vlera të paçmueshme natyrore dhe po hyn gjithnjë e më shumë në listën e destinacioneve elitare të Mesdheut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






