

Prishtinë, 24 qershor 2025 – Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një vendim për të pranuar dhe strehuar përkohësisht 50 shtetas të vendeve të treta, të cilët do të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet amerikane, duke pasur në konsideratë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Vendimi, i miratuar më 11 qershor, parashikon që këtyre personave t’u ofrohet mbrojtje e përkohshme për një periudhë deri në një vit. Gjatë kësaj kohe, do të vlerësohen kushtet në vendet prej nga vijnë dhe do të ndërmerren masa për kthimin e tyre vullnetar.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se rastet do të shqyrtohen ndaras nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa Kosova do të ofrojë strehim, ushqim, veshmbathje, produkte higjienike dhe kujdes shëndetësor emergjent për të ardhurit.
Kryeziu kujtoi se Kosova ka përvoja të mëparshme në menaxhimin e situatave të ngjashme, përfshirë strehimin e shtetasve afganë në vitin 2021 në bashkëpunim me NATO-n dhe SHBA-në, si dhe gazetarëve ukrainas përmes programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Qeveria në detyrë theksoi se ky angazhim vjen si shenjë e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në, të cilat i cilësoi si “aleat të palëkundur” në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi se bashkëpunimi me autoritetet amerikane do të vijojë gjatë gjithë procesit.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mirëpritur vendimin e Kosovës, duke shprehur mirënjohje për kontributin e saj në këtë proces ndërkombëtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






