

Tiranë, 24 qershor 2025 – Maturantët në të gjithë vendin po i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, i cili zhvillohet në Lëndën me Zgjedhje, në varësi të profilit të ndjekur gjatë shkollës së mesme.
Pas testimeve në Gjuhë të Huaj, Gjuhë Shqipe dhe Matematikë, ky është provimi përmbyllës i një prej cikleve më të rëndësishëm për nxënësit e shkollave të mesme. Lëndët e përfshira variojnë nga Shkencat e Natyrës (Biologji, Kimi, Fizikë), te Shkencat Shoqërore (Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Sociologji, Filozofi), dhe deri te fusha e Ekonomisë dhe Arteve (Ekonomi, Histori Arti, Muzikë, Balet).
Rregulla të rrepta sigurie dhe mbështetje për maturantët
Provimi nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Nxënësit janë të detyruar të paraqiten në orën 08:00, të pajisur me dokument identifikimi, ndërkohë që ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave apo pajisjeve teknologjike gjatë testimit.
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpërndarë më herët teste model për përgatitje, ndërsa mbi 640 mësues janë angazhuar në procesin e korrigjimit. Gjithashtu, janë parashikuar edhe teste të personalizuara për nxënësit me aftësi ndryshe, në kuadër të përfshirjes dhe barazisë në arsim.
Ky provim shënon fundin zyrtar të Maturës Shtetërore për vitin 2025, duke hapur rrugën për fazën e aplikimeve në universitet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd