

SHBA, 24 qershor 2025 – Atletico Madrid është skuadra e parë e madhe që eliminohet nga Kupa e Botës për Klube 2025, pavarësisht një fitoreje dramatike ndaj Botafogos në raundin e tretë të grupeve.
Goli i vonë i Antoine Griezmann i dha Atleticos një sukses 1-0 ndaj skuadrës braziliane, por nuk mjaftoi për kualifikim, për shkak të humbjes së thellë 4-0 ndaj Paris Saint-Germain në ndeshjen e mëparshme. Golaverazhi favorizoi Botafogon, e cila, me dy fitore në tri ndeshje, siguroi vendin e dytë në grup dhe avancoi në fazën tjetër.
PSG në krye të Grupit, shkel Seatle Sounders
Paris Saint-Germain konfirmoi dominimin në Grupin B, duke mbyllur me 6 pikë dhe golaverazh +5. Në ndeshjen e fundit të grupit, kampionët francezë fituan 2-0 ndaj Seatle Sounders me gola të Khvicha Kvaratskhelias dhe Achraf Hakimit.
Botafogo përballet me Palmeiras, Atletico del nga gara
Me këtë renditje, PSG kalon si fituese e grupit dhe pret Inter Miamin në fazën e eliminatoreve, ndërsa Botafogo do të ketë përballje braziliane ndaj Palmeiras. Atletico Madrid, një nga favoritët për trofeun, largohet nga turneu në mënyrë të papritur, duke shënuar një dështim të madh në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd