

Shkodër, 23 Qershor 2025 – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), përmes Drejtorisë Rajonale Shkodër, ka zhvilluar kontrolle intensive në datat 21 dhe 22 qershor, në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) te ruminantët e vegjël.
Gjatë verifikimeve në terren, trupa inspektuese e AKU konstatoi shkelje të rënda ligjore në katër subjekte me aktivitet tregtimi mishi, përfshirë mosrespektimin e kërkesave të sigurisë ushqimore, mungesën e vulës veterinare dhe të certifikatave të origjinës së produktit, si dhe ushtrimin e aktivitetit të paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR).
Detajet e kontrolleve dhe masave të marra: Më datë 21 qershor 2025:
Subjekti 1: U bllokuan 2 karkasa qingji (12 kg mish) të pashoqëruara me certifikatë veterinare dhe vulë identifikimi. U vendos gjobë prej 100,000 lekësh.
Subjekti 2: U bllokua 1 karkasë qingji (7 kg mish) me të njëjtat mungesa. Edhe për këtë subjekt u vendos gjobë 100,000 lekë.
Më datë 22 qershor 2025:
Subjekti 3: U sekuestrua një sasi prej 75 kg mishi, pa dokumentacion dhe vulë veterinare. Subjekti rezultoi gjithashtu i paregjistruar në QKR. U vendosën masat:
Bllokim i aktivitetit tregtar
Gjobë: 200,000 lekë
Subjekti 4: U bllokua 30 kg mish, me të njëjtat shkelje ligjore si më sipër. Edhe ky subjekt ishte i paregjistruar. U morën masat:
Bllokim i aktivitetit tregtar
Gjobë: 200,000 lekë
Përmbledhje: Subjekte të ndëshkuara: 4
Sasia totale e mishit të bllokuar: 124 kg
Destinacioni i mishit: Asgjësim, sipas protokolleve të sigurisë ushqimore
Vlera totale e gjobave të vendosura: 600,000 lekë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit rithekson angazhimin e tij për mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë ushqimore në vend. Strukturat inspektuese do të vijojnë me kontrolle të përforcuara në të gjithë territorin kombëtar, me fokus të veçantë tek produktet me origjinë shtazore dhe zinxhiri i tregtimit të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd