

Teheran, 22 Qershor 2025 – Pamje satelitore të reja kanë zbuluar pasojat e rënda të sulmit ajror amerikan ndaj impiantit bërthamor të Fordow në Iran, duke treguar kratera të mëdha dhe dëme strukturore në zona kyçe të kompleksit.
Sipas analizave të ekspertëve, imazhet zbulojnë gjashtë kratera goditjeje të thella nëntokësore, që sugjerojnë se objektivat janë përqendruar në zona strategjike si tuneli i centrifugëve – komponenti thelbësor për pasurimin e uraniumit.
Sulmi i 22 qershorit, i koduar “Midnight Hammer”, përfshiu një operacion të gjerë ushtarak nga Shtetet e Bashkuara me gjithsej 125 avionë, përfshirë avionë bombardues B-2 Spirit, avionë luftarakë dhe aeroplanë mbështetës.
Shtatë avionë B-2 Spirit hodhën gjithsej 14 bomba të tipit GBU-57 Massive Ordnance Penetrator (MOP). Gjashtë prej tyre sulmuan objektivin në Fordow me 12 bomba, ndërsa një avion tjetër hodhi dy bomba mbi kompleksin bërthamor të Natanzit.
Bombat GBU-57 MOP, që peshon 13 mijë kilogramë secila, janë projektuar për të shkatërruar objekte të mbrojtura thellë nën tokë, duke depërtuar mbi 18 metra beton ose 60 metra tokë përpara shpërthimit. Ky ishte përdorimi i parë operacional i tyre në një mision luftarak.
Aktualisht, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse objektet janë shkatërruar plotësisht, por burime ushtarake sugjerojnë se dëmet janë të mëdha dhe mund të kenë ndikuar ndjeshëm në kapacitetet teknike të programit bërthamor të Iranit.
Situata vijon të jetë e tensionuar, teksa pritet reagimi i mëtejshëm i autoriteteve iraniane dhe komunitetit ndërkombëtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd