

Hamallaj, Durrës – Zonat bregdetare të Hamallajt, të njohura për frekuentimin e lartë nga pushuesit gjatë muajve të verës, po përballen prej ditësh me një krizë të rëndë uji të pijshëm. Qindra familje, përfshirë pushues vendas dhe të huaj, raportojnë mungesë totale të furnizimit me ujë, duke e bërë të pamundur plotësimin e nevojave më bazike për jetesë.
Mungesë totale informacioni nga institucionet
Edhe pse situata është alarmante, as Bashkia Durrës dhe as Ujësjellës-Kanalizime Durrës (UKD) nuk kanë dhënë asnjë njoftim apo shpjegim zyrtar për ndërprerjen e furnizimit me ujë. Banorët dhe pushuesit ankohen se nuk ka asnjë formë komunikimi apo transparence nga autoritetet. Linjat telefonike të UKD-së rezultojnë të pamundura për kontakt – askush nuk përgjigjet, ndërsa zyra e bashkisë nuk ofron asnjë informacion publik.
Disa qytetarë flasin për një defekt teknik, por edhe kjo mbetet në nivel spekulimi pasi nuk ka asnjë deklaratë nga institucionet përkatëse që të sqarojë shkakun apo kohëzgjatjen e ndërprerjes.
Pushime të shkatërruara për qindra familje
Një qytetar nga Tirana, i cili kishte rezervuar një apartament me qira në Hamallaj për të kaluar pushimet me familjen, shprehet i revoltuar për situatën. “Erdha me gruan dhe dy fëmijët e vegjël për të kaluar disa ditë pushimi, për të cilat kemi paguar mjë tufë me para se çmimet janë rritur shumë. Po jetojmë pa ujë prej tre ditësh. Është absurde. Nuk kemi ku të lahemi, nuk kemi ujë për tualet, për të gatuar apo për dush. Pushimet janë kthyer në makth,” – tregon ai.
Kjo është një situatë që nuk prek vetëm pushuesit, por edhe dhjetëra biznese lokale që operojnë në zonën turistike të Hamallajt, përfshirë hotele, bare, restorante dhe qendra argëtimi. Mungesa e ujit jo vetëm që pengon aktivitetin e tyre të përditshëm, por rrezikon të dëmtojë rëndë reputacionin turistik të zonës në një nga muajt më të ngarkuar të sezonit.
Rrezik për shëndetin publik
Alarmi është ngritur edhe nga personeli shëndetësor lokal. Një personel në qendrën shëndetësore të Lalzit paralajmëron për pasojat që kjo krizë mund të ketë mbi shëndetin e banorëve dhe pushuesve: “Mungesa e ujit rrit rrezikun për infeksione dhe sëmundje, sidomos në këtë periudhë të nxehtë vere. Higjiena personale është thelbësore për parandalimin e problemeve shëndetësore, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit.”
Një krizë që paralajmëron dështimin e menaxhimit lokal
Rasti i Hamallajt tregon një dështim të thellë institucional në menaxhimin e shërbimeve bazë për qytetarët dhe pushuesit. Papërgjegjshmëria e bashkisë dhe heshtja totale e UKD-së për një çështje kaq jetike si uji i pijshëm përbën jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe një akt cinizmi ndaj mijëra njerëzve që ndodhen në zonën e prekur.
Banorët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet dhe një plan të qartë veprimi për rikthimin e furnizimit me ujë, si dhe dëmshpërblim moral e material për dëmin e shkaktuar në këtë situatë skandaloze.
Situata e përsëritur nuk duhet pranuar më!
Kjo krizë nuk është thjesht pasojë e një defekti teknik – është pasojë e një kulture të thellë papërgjegjshmërie dhe arrogancës institucionale ndaj qytetarit. Kur mungon uji, mungon jeta. Kur institucionet nuk japin llogari, është detyrë e qytetarëve të mos heshtin. Dhe për më tepër kur sidomos në rajonin e Durrësit kjo situatë është kronike.
Njerëzit nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në këtë realitet ku shërbimet bazë janë luks dhe ku askush nuk ndëshkohet për neglizhencën. Është koha që qytetarët të ngrihen në protestë, të kërkojnë llogari dhe të largojnë nga pushteti ata që nuk janë të aftë të ofrojnë as minimumin jetik: furnizimin me ujë.
Vetëm përmes presionit qytetar dhe pjesëmarrjes aktive mund të ndryshohet kjo gjendje. Heshtja dhe pranimi janë bashkëfajësi. Heshtja sot do të thotë mungesë uji edhe nesër, mungesë energjie, mungesë dinjiteti. Qytetarët e Hamallajt dhe të gjithë Durrësit meritojnë më shumë – dhe duhet ta kërkojnë me zë të lartë.
/noa.al
Edhe Kavaja pa ujë
Në rrjetet sociale banorët denoncojnë se dhe Kavaja prej ditësh është pa ujë. Sërish UKD dhe bashkia Durrës janë përgjegjës për situatën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd