

Tiranë, 22 qershor 2025 – Kampionia e Evropës në atletikë, Luiza Gega, ka bërë publike një vendim të fortë dhe akuza të rënda ndaj presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo njoftoi mos-pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Evropian të Atletikës, që nis të martën në Slloveni, për shkak të kushteve të papërshtatshme të organizimit nga federata.
Sipas Gegës, shumica e delegacionit shqiptar do të udhëtonte me autobus për një rrugë që zgjat mbi 20 orë, çka sipas saj është e papranueshme për një sportist profesionist në një garë të këtij niveli.
“Kur pashë me sa pak seriozitet ishte marrë vajtja në këtë aktivitet, vendosa të tërhiqem. M’u rikthye vetja 20 vite më parë, kur hera e fundit që kam udhëtuar me autobus ishte për garë. Është rraskapitëse, nuk merr dot maksimumin në garë,” – shkruan ajo.
Në deklaratën e saj, Gega akuzon drejtpërdrejt presidentin Izmir Smajlaj, i cili mori drejtimin e federatës më 5 maj. Ajo e akuzon për mospërmbushje të premtimeve, për mungesë mbështetjeje ndaj sportistëve dhe për mospërgjegjësi në drejtimin e institucionit.
“Presidenti erdhi duke thënë që mbështet sportistët se ka qenë vetë sportist. Por gjëja e parë që bëri ishte të kthejë atletikën 20 vite pas,” – shprehet atletja.
Ajo thekson gjithashtu se nuk janë shpërndarë uniforma të reja për atletët, ndërkohë që u është kërkuar të jenë të pajisur për Kampionatin Evropian. Gega zbulon se uniformat aktuale janë blerë dy vite më parë nga trajneri i saj, me shpenzime personale.
“Një president duhet të jetë i gatshëm të mbajë një federatë mbi supe. Jo kushdo mund ta bëjë presidentin,” – thekson ajo.
Izmir Smajlaj u zgjodh president i federatës si kandidat i vetëm, pasi paraardhësi Taulant Stërmasi, trajneri i Gegës, u tërhoq pas akuzave për manipulim të procesit zgjedhor. Po ashtu, Gega nuk arriti të zgjidhej anëtare kryesie në këto zgjedhje.
Nuk ka ende reagim zyrtar nga Federata Shqiptare e Atletikës apo vetë presidenti Smajlaj mbi deklaratat e Gegës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






