

Gjasat të larta për reagim nga Irani, por sa shpejt dhe në çfarë shkalle do të jetë? Zgjedhja që përcakton "fatin" e rajonit
Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të goditur objektet bërthamore të Iranit ka futur Lindjen e Mesme në një situatë të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Tashmë, vëmendja është përqendruar te përgjigjja që do të japë Teherani, një zgjedhje mes diplomacisë ose hakmarrjes.
Sipas analistëve, njëra mundësi është që Irani të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ish-shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, Amos Yadlin, thotë se sulmet mund të shërbejnë si një shtysë për të ndalur luftën dhe për të shpëtuar regjimin. “Irani mund të negociojë dhe të kërkojë fundin e konfliktit, madje edhe mbi bazën e ndalimit të pasurimit të uraniumit,” tha Yadlin për CNN.
Një alternativë tjetër do të ishte një reagim i ashpër.
Nëse Irani zgjedh hakmarrjen, kjo mund të tërheqë jo vetëm SHBA-të, por të gjithë rajonin në një përplasje afatgjatë. Analisti Barak Ravid thotë se Irani ka paralajmëruar se do të sulmojë forcat dhe interesat amerikane në rajon nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen drejtpërdrejt në luftë.
Një veprim i mundshëm dhe shumë i diskutuar është mbyllja e ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kjo do të shkaktonte rritje të menjëhershme të çmimeve të energjisë dhe do të ndikonte në ekonominë globale.
Këshilltarët e lartë të liderit suprem iranian kanë bërë thirrje për sulme me raketa dhe për mbylljen e ngushticës, duke e konsideruar këtë si “radha e Iranit për të vepruar”.
Sipas studiuesit të Lindjes së Mesme, Mohammad Ali Shabani, Irani ka aftësinë për të tronditur tregjet globale të naftës, për të nxitur inflacionin dhe për të minuar axhendën ekonomike të presidentit Trump.
Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ndodhet përballë një vendimi historik.
Analisti, Aaron David Miller, thotë se është pothuajse e pamundur që një udhëheqës 86-vjeçar, i përkushtuar për të ruajtur revolucionin islamik dhe për ta kaluar te pasardhësit e tij, të mos reagojë fare.
“Ka shumë mundësi që reagimi të vijë, pyetja është sa i fortë dhe sa shpejt,” përfundon Miller.
Zgjedhja që do të bëjë Irani mund të përcaktojë fatin e gjithë rajonit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në javët që vijnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd