Transmetuar më 22-06-2025, 12:18

Arrestohet Eduart Gjikoli gjatë operacionit "Koordinata", zbulohet parcelë me 1000 bimë kanabis dhe armë zjarri në banesë

Fier, 22 qershor 2025 – Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga Policia e Fierit në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”. Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive dhe kontrolleve të vijueshme në terren, u arrestua në flagrancë shtetasi Eduart Gjikoli, 48 vjeç, banues në fshatin Pojan.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier zbuluan një sipërfaqe me 1000 bimë të dyshuara si kanabis, të kultivuara përgjatë kanaleve kulluese në zonën e njohur si “Fushat e fshatit Povelçë”.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, Eduart Gjikoli u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët narkotike, dhe menjëherë u vu në pranga. Në vazhdim të veprimeve procedurale, u kontrollua edhe banesa e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan:

1 armë zjarri pistoletë,

2 krehëra,

14 fishekë luftarak.

Përveç arrestimit të 48-vjeçarit, u procedua penalisht edhe babai i tij, shtetasi E. Gj., 77 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet në ngarkim të tyre u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Bimët narkotike të gjetura në terren u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar dhe kapur persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të mundshëm kultivimi dhe trafiku të lëndëve narkotike.

Policia e Fierit njofton se operacioni “Koordinata” do të vijojë pa ndërprerje në të gjithë territorin për të parandaluar dhe goditur rastet e kultivimit të bimëve narkotike. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit