Transmetuar më 21-06-2025, 10:31

Tiranë, 21 qershor 2025 – Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Valiasi”, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në një rast të shitjes së lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë shtetasit Erjan Perlleshi, Elsad Germaj, Shaban Nikolli (Germaj), Egzon Buzalli dhe Alban Prendi.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua në zonën e Valiasit, ku shërbimet e Komisariatit Nr. 5 ndaluan dy automjete të dyshuara: një automjet tip “Audi” dhe një “Jaguar”. Në momentin e ndërhyrjes, të dyshuarit tentuan të largoheshin, por u kapën në flagrancë nga efektivët.

Gjatë kontrollit të automjetit “Audi”, që drejtohej nga Erjan Perlleshi dhe ku ndodhej edhe Alban Prendi si pasagjer, u sekuestruan dy pako me lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa, me peshë totale 5 kilogramë e 300 gramë. Automjeti “Jaguar”, që shoqëronte mjetin tjetër nga pas, drejtohej nga Egzon Buzalli, ndërsa pasagjerë ishin dy vëllezërit Elsad Germaj dhe Shaban Nikolli (Germaj).

Sipas Policisë, Perlleshi dhe Prendi akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa Germaj, Nikolli dhe Buzalli për veprën “Moskallëzimi i krimit”.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan:

2 pakot me kanabis sativa,

2 automjetet e përdorura në transportin dhe mbështetjen e veprimtarisë,

5 telefona celularë.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për vijimin e procedurave ligjore përkatëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit