

Beograd, 20 qershor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se ushtria e vendit të tij është më e fuqishme se kurrë më parë, ndërsa ka paralajmëruar “ndryshime të mëdha” në strukturën dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura Serbe. Sipas tij, pjesa më e madhe e pajisjeve ushtarake është blerë në fshehtësi dhe vetëm një numër shumë i kufizuar njerëzish e di çfarë është blerë.
Në një intervistë për televizionin “Prva”, Vuçiç njoftoi se gjatë një parade të madhe ushtarake që do të mbahet në muajin shtator, Serbia do të prezantojë publikisht pjesën më të madhe të arsenalit të saj të ri ushtarak. “E kemi mbajtur të fshehur, por këto janë ndryshime të mëdha për Ushtrinë e Serbisë në periudhën e ardhshme. Janë më së shumti pesë persona që dinë çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është ta mbrojmë vendin tonë”, tha ai.
Presidenti serb tha se ushtria po shndërrohet në një forcë “tmerrësisht goditëse”, ndërsa shtoi se shumë persona do të befasohen kur të zbulojnë pajisjet që Serbia ka blerë. Ai ngriti shqetësime për një bashkëpunim në rritje midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat sipas tij po krijojnë një “aleancë ushtarake” dhe po përpiqen të përfshijnë në të edhe Bullgarinë.
Kujtojmë se më 18 mars 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilën e përshkruan si një dokument që synon të përforcojë bashkëpunimin rajonal përballë kërcënimeve të përbashkëta dhe sfidave të sigurisë, pa pasur qëllime për krijimin e një aleance ushtarake.
Megjithatë, Vuçiç këmbënguli se Serbia nuk përbën kërcënim për askënd, por se është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s dhe për këtë arsye “duhet të jetë vigjilente”. “Nuk do të jemi të parët që qëllojmë, por do të jemi të gatshëm të mbrojmë vendin tonë”, përfundoi ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd