

Dy emra të Policisë Shqiptare marrin titullin prestigjioz “Kalorës i Yllit të Italisë”. Presidenti i Italisë dekoron dy drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit shqiptar, Neritan Nallbati dhe Alban Dautaj
Romë – Presidenti i Republikës së Italisë ka dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë” Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit, Drejtues Alban Dautaj.
Ceremonia e nderimit u zhvillua në ambientet e Ambasadës italiane në Tiranë dhe u drejtua nga Ambasadori i Italisë, Sh. T. Z. Marco Alberti. Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda, rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha dhe prokurori i SPAK, Adnan Xholi.
Dekoratat përfaqësojnë një vlerësim të lartë për kontributin e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin me autoritetet italiane në fushën e hetimeve, ndalimeve ndërkombëtare dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
🔹 Z. Neritan Nallbati u vlerësua për rolin e tij kyç në ndërtimin e marrëdhënieve operative me autoritetet italiane, organizimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe kapjen e shtetasve të rrezikshëm në kërkim ndërkombëtar.
🔹 Z. Alban Dautaj u dekorua për kontributin e vazhdueshëm në bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin efikas të informacioneve dhe krijimin e grupit trepalësh “Skënderbeg”, një strukturë e suksesshme mes Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Alberti theksoi se “dy drejtuesit janë përfaqësues të shkëlqyer të Policisë së Shtetit dhe të partneritetit të qëndrueshëm italo-shqiptar”.
Të emocionuar, të dy drejtuesit e nderuar falënderuan autoritetet italiane dhe shqiptare, kolegët e tyre dhe familjet për mbështetjen, duke e cilësuar këtë dekoratë si një nderim për gjithë strukturat që përballen çdo ditë me sfida të mëdha në fushën e sigurisë.
Policia e Shtetit rikonfirmon angazhimin e saj për thellimin e bashkëpunimit me partnerët italianë, në funksion të garantimit të sigurisë, forcimit të shtetit ligjor dhe ndëshkimit të krimit të organizuar. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






