

Policia e Shtetit nxori sonte, pak para mesnate pamjet e ekstradimeve në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Interpol Abu Dhabi.
Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale të njohura në Elbasan – përkatësisht grupet e Suel Çelës dhe Çopjave – janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, me transit në Stamboll.
Të ekstraduarit janë:
Ervis Daka, 38 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën "arrest në burg" për akuzat: vrasje me paramendim, mbetur në tentativë, sigurim i kushteve për të kryer vrasje, armëmbajtje pa leje, dhe përkrahje e autorit të krimit, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Maksim Koçi, 39 vjeç, akuzohet për vrasje me paramendim për interes dhe hakmarrje, sigurim i kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje, si dhe përkrahje e autorit të krimit, gjithashtu në kuadër të një organizate kriminale.
Ado Xhika, 40 vjeç, i cili përballet me akuzën përkrahje e autorit të krimit, në strukturë kriminale. Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku,
Operacioni u realizua në kuadër të fushatës ndërkombëtare “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, si dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe autoritetet e Dubait.
Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, tre të ekstraduarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të mbahen në pritje të përballjes me drejtësinë shqiptare. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






