Transmetuar më 19-06-2025, 19:02

Përmet, 19 qershor 2025 – Një aksident i pazakontë ka ndodhur sot në qafën e malit të Dhëmbelit, ku një 68-vjeçar është rrëzuar së bashku me kafshën e tij të punës dhe ka mbetur i bllokuar nën trupin e saj. Falë një telefonate emergjente, ai është shpëtuar në kohë nga forcat e ndërhyrjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40, në vendin e quajtur “Qafa e Mënit”, kur Luan Lame, banor i fshatit Lipë, Njësia Administrative Petran, telefonoi policinë duke njoftuar se kishte pësuar një aksident teksa ndodhej me pelën e tij në një terren të vështirë malor.

Sipas hetimeve paraprake, Lame kishte rrëshqitur bashkë me kafshën në një zonë të thyer, ku kjo e fundit e zuri nën trup duke i shkaktuar plagë të rënda. Për shkak të frakturave, 68-vjeçari nuk mundej të lëvizte.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe ambulanca. I moshuari u nxor nga vendi i ngjarjes me ndihmën e barelës dhe u dërgua në Spitalin e Përmetit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit