Transmetuar më 18-06-2025, 21:41

SHBA- Kongresmeni Pete Sessions është anëtari më i ri i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i njohur ndryshe si “Caucus-i Shqiptar”. Grupi përbëhet nga ligjvënës amerikanë të cilët mbështesin interesat e shqiptarëve në SHBA dhe në Ballkan.

Lajmi u bë i ditur nga organizata “Albanians for America”, e cila njoftoi se Kongresmeni Sessions është tashmë pjesë e këtij grupi ndërpartiak që promovon marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në një mesazh të posaçëm Kongresmeni Sessions ka thënë se rikonfirmon përkushtimin e tij për të mbështetur shqiptarët, si në SHBA ashtu edhe në Ballkan.

“Theksoi rolin jetik të diplomacisë amerikane dhe nevojën për një angazhim të vazhdueshëm në rajon. Vlerësoi punën e palodhur të përfaqësuesve të AFA-së, Gino Mulliqi dhe Doc Vranici, për avokimin e çështjeve shqiptare në Uashington”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Gjithashtu, Kongresistet Lori Trahan (D-MA) dhe Delia Ramirez (D-IL) janë bashkuar zyrtarisht me “Caucus-in Shqiptar” në Kongresin Amerikan duke shënuar një moment pozitiv për përfaqësimin shqiptaro-amerikan në Capitol Hill.

Kongresistja Lori Trahan, e cila përfaqëson Distriktin e 3-të të Massachusetts, sjell një përvojë të fortë në shërbimin publik dhe udhëheqjen e politikave. Ndërsa Kongresistja Delia Ramirez, që përfaqëson Distriktin e 3-të të Illinois, është latina e parë e zgjedhur në Kongres nga rajoni i Midwest-it.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit