Transmetuar më 18-06-2025, 00:09

Një përplasje e ashpër ka shpërthyer në Shkodër mes Presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi, dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për shkak të koncertit të paralajmëruar të këngëtarit të njohur Bujar Qamili, i cili do të mbahet në stadiumin “Loro Boriçi” më 21 qershor. Sipas drejtuesve të klubit shkodran, ky aktivitet është vendosur pa autorizimin e nevojshëm dhe pa dijeninë e klubit, duke vënë në rrezik përgatitjet e ekipit për Kupat e Europës.

Alban Xhaferi, në një reagim të fortë publik, ka paralajmëruar edhe veprime ligjore dhe ka ngritur kallëzim penal ndaj drejtorit të Kulturës dhe drejtoreshës së Kulturës në Bashkinë Shkodër. Ai ironizoi situatën me një postim në rrjetet sociale: “A ma jep stadiumin për dasmë, me thirrë teze, halla dhe daja? Humor që e kuptojnë vetëm shkodranët. Ma bafshi natën e mirë.”

Në një prononcim për Top Channel, Xhaferi deklaroi: “Nuk është çështja e koncertit të Bujarit, por një qasje e papranueshme që ka Bashkia ndaj një tempulli sportiv. Stadiumi është i licencuar për Kupat e Europës dhe ka rregulla të rrepta për përdorim. Ne kemi ndeshje më 10 korrik dhe me një koncert më 21 qershor, fushën nuk e rikuperojmë dot. Bashkia na ka bërë fakt të kryer. Stadiumi mund të jetë pronë e bashkisë, por është pronë e gjithë shkodranëve dhe i gjithë shqiptarëve.”

Xhaferi theksoi se asnjë vendim nuk është marrë nga Këshilli Bashkiak për ndryshimin e destinacionit të stadiumit dhe se klubi nuk është konsultuar as me Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila ka vendosur kritere të qarta për mbrojtjen e infrastrukturës sportive.

Në anën tjetër, këngëtari Bujar Qamili ka reaguar i qetë ndaj situatës. Ai konfirmoi datën dhe orën e koncertit, duke shtuar se nuk përfshihet në përplasje politike:

“Koncerti do zhvillohet më 21 qershor, ora 19:00. Po përgatitem me orkestrën për të dhuruar spektakël. Unë nuk merrem me politikë. Ftesën e kam marrë që herët nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci dhe Drejtoria e Kulturës. Sa i përket Alban Xhaferit, ai është mik dhe sponsor i koncertit. E kam mik, e respektoj. Kushdo është i mirëpritur.”

Qamili nënvizoi se për të, Vllaznia është zemër dhe familje, duke refuzuar të përfshihet në debatin institucional mes klubit dhe Bashkisë.

Përplasja ka hapur një debat të ri në Shkodër mbi mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike, funksionin e stadiumit “Loro Boriçi” dhe balancën mes kulturës dhe sportit. Klubi Vllaznia këmbëngul se çdo përdorim i stadiumit jashtë eventeve sportive duhet të miratohet institucionalisht, ndërsa Bashkia Shkodër duket se ka ndërmarrë iniciativa të reja për ta kthyer stadiumin në një hapësirë multifunksionale.

Reagon Bashkia Shkodër 

Të nderuar qytetarë të Shkodrës, sportdashës të Vllaznisë, brenda dhe jashtë qytetit,

Konferenca për shtyp e Mjeshtrit të Madh, Bujar Qamili, një nga figurat më të çmuara të qytetit dhe të muzikës shqiptare, është shoqëruar me reagime publike nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe presidenti i tij, z. Alban Xhaferi.

Për këtë arsye, dëshirojmë të informojmë opinionin publik qartë dhe me transparencë:

Koncerti i këngëtarit Bujar Qamili, “Nder i Kombit”, nuk cënon në asnjë moment logjistikën e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili është aset dhe administrohet nga Bashkia Shkodër. Skena do të vendoset në pjesën e pistës së stadiumit, pa prekur fushën e lojës apo infrastrukturën sportive.

Koncerti i datës 21 qershor është një veprimtari zyrtare e Bashkisë Shkodër, që zhvillohet në asetet e saj, pa asnjë ndryshim destinacioni.

Përfaqësuesit e Bashkisë dhe të strukturave të kulturës nuk kanë cenuar apo ofenduar askënd. Përkundrazi, janë përballur me sjellje të papërshtatshme nga z. Alban Xhaferi dhe persona që e shoqëronin atë – për të cilat Bashkia i është drejtuar organeve kompetente.

Për më tepër, sqarojmë se aktiviteti i datës 21 qershor nuk cënon në asnjë mënyrë licensimin apo kushtet e UEFA-s, siç është pretenduar apo abuzuar publikisht.

KF Vllaznia ftohet të shmangë deklarata që mund të krijojnë tension apo keqkuptim te tifozeria shkodrane.

Shkodra dhe Vllaznia janë një! Në këtë frymë, Bashkia Shkodër mbështet fuqishëm ngjyrat kuqeblu, simbol i krenarisë sonë qytetare, dhe njëkohësisht promovon kulturën si një tjetër pasuri e identitetit shkodran.

Ftojmë të gjithë shkodranët dhe jo vetëm që të jenë të pranishëm më 21 qershor, në stadiumin “Loro Boriçi”, për të festuar së bashku me Bujar Qamilin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës – në një mbrëmje që do t’i përkasë zemrës së Shkodrës".

***

Për momentin, mbetet e paqartë nëse do të ketë ndonjë ndërhyrje ligjore që mund të bllokojë koncertin, ndërsa tensionet mes palëve vijojnë të rriten në prag të një ndeshjeje të rëndësishme europiane për Vllazninë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit