Transmetuar më 17-06-2025, 00:28

Një ngjarje makabre vazhdon të trondisë Italinë dhe opinionin publik shqiptar. Gentiana Hudhra, një 45-vjeçare shqiptare, u vra me thikë në mes të një parku në Marche nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç, gjithashtu me origjinë shqiptare. Vrasja ndodhi në mbrëmjen e 14 qershorit, pak pas orës 19:45, në Viale Benadduci, pranë një parku në qendër të qytetit.

Një nga momentet më rrëqethëse të kësaj tragjedie ka qenë rrëfimi i djalit të viktimës, Mario, i cili foli për mediat e huaja: “Shkova të haja akullore me babin, pastaj ai vrau mamin.”

Ky detaj i dhimbshëm hedh dritë mbi gjendjen psikologjike të autorit dhe mbi faktin që vrasja mund të ketë qenë e paramenduar. Mediat italiane raportojnë se Nikollaq kishte menduar të kryente krimin edhe dy apo tre herë gjatë muajve të fundit.

Gentiana Hudhra dhe ish-bashkëshorti i saj ishin të ndarë që prej vitit 2021 dhe nuk bashkëjetonin. Viktima ishte në rrugë për të shkuar në punë kur u përball me ish-bashkëshortin. Mes tyre shpërtheu një debat i dhunshëm që degjeneroi shpejt në sulm fizik. Nikollaqi nxori një thikë me teh 18 centimetra dhe e goditi disa herë me forcë, përpara se të vazhdonte ta qëllonte me shkelma edhe pasi ajo kishte rënë përtokë, e pafuqishme.

Dëshmitarët e pranishëm treguan për skena të rënda: “Dëgjova britma dhe pashë burrin duke e goditur me shkelma gruan. Ishte ulur në një stol, thuajse i kënaqur, dhe thoshte: ‘Unë e bëra, jam mirë. Po pres.’”

Kalimtarët lajmëruan menjëherë shërbimet e emergjencës dhe policinë. Në vendngjarje mbërritën forcat e rendit, karabinierët dhe ambulanca, por për Gentianën ishte shumë vonë. Autori nuk bëri rezistencë dhe u shoqërua nga policia në komisariat, ku u mor në pyetje nga prokurori publik Enrico Riccioni. Para hetuesve, Nikollaq Hudhra tha se e kishte kryer vrasjen “për të shpëtuar fëmijët”.

Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e ngjarjes.

Ish-çifti kishte dy fëmijë, përkatësisht 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën e tyre.

Gentiana punonte si kujdestare dhe po shkonte në punë, kur u sulmua papritur në parkun e Viale Benadduci nga ish-bashkëshorti, i cili dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit