Transmetuar më 17-06-2025, 22:14

Arbër Paplekaj kërkon lirim me kusht: Gjykata e Durrësit shqyrton më 16 korrik kërkesën e ish-efektivit të RENEA-s të dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Durrës – Arbër Paplekaj, ish-efektivi i forcave speciale RENEA i dënuar për vrasjen e biznesmenit dhe përkrahësit të Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani, ka paraqitur një kërkesë për lirim me kusht në Gjykatën e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare, Paplekaj ka argumentuar në kërkesën e tij se ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit dhe kërkon të përfitojë nga e drejta për të dalë nga burgu me kusht. Seanca për shqyrtimin e kërkesës do të zhvillohet më 16 korrik.

Paplekaj është dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit me vendim të datës 1 korrik 2024. Apeli vendosi të ndryshojë akuzën ndaj tij nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, duke ulur kështu edhe masën e dënimit.

Ngjarja për të cilën Paplekaj është dënuar ndodhi më 21 prill 2021 në Elbasan, vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Konflikti nisi pas përplasjes mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste. Struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur nga PD në Elbasan ndaloi një automjet të drejtuar nga Mehmet Greca, me pretendimin se ky i fundit po shpërndante para në këmbim të votave në favor të PS. Greca kërkoi ndihmën e Pjerin Xhuvanit, i cili mbërriti në vendngjarje, ku më pas ndodhi përplasja e armatosur.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën: dy anëtarë të strukturës së PD-së, Emiljani Prenga dhe Paulin Vuksani, dhëndri i Xhuvanit, Edjon Budani, si dhe efektivja e policisë Xhensila Sota.

Arbër Paplekaj pranoi autorësinë e vrasjes dhe u vetëdorëzua pranë Repartit të RENEA-s në Tiranë, ku deklaroi se kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi sipas tij ishte qëlluar më parë nga persona që po përpiqeshin të blinin vota.

Ngjarja shkaktoi një valë reagimesh të forta politike dhe mediatike, pasi hodhi dritë mbi ekzistencën e një strukture të armatosur, të vetëshpallur si “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, e ngritur nga PD në Elbasan. Një pjesë e anëtarëve të kësaj strukture rezultuan me precedentë penalë dhe të njohur për organet ligjzbatuese, çka ngriti pikëpyetje të mëdha për ligjshmërinë dhe kontrollin e proceseve zgjedhore në vend.

Gjykata e Durrësit pritet të vendosë më 16 korrik nëse Paplekaj do të përfitojë nga lirimi me kusht, në një çështje që ende mbetet shumë e ndjeshme në opinionin publik. /noa.al

Pjerin Xhuvani

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit