

Komisioni Europian i vendosi Greqisë një gjobë të lartë prej gati 400 milionë eurosh për dështimin në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë dhe për kontroll të pamjaftueshëm, raporton sot portali Politiko.
Brukseli ka urdhëruar Athinën të paguajë 392.2 milionë euro nga fondet e BE-së për shkak të dështimeve sistemike në menaxhimin e subvencioneve të BE-së për bujqësinë në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023.
Agjencia greke përgjegjëse për mbikëqyrjen e subvencioneve të BE-së është akuzuar gjithashtu për kryerjen e pagesave pa kontrolle ose inspektime të mjaftueshme në terren
Vendimi për gjobën pasoi një skandal të madh rreth mashtrimit në lidhje me fermat greke, i cili është objekt i një hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO), kujton Politiko.
EPPO po heton dhjetëra raste ku qytetarët grekë kanë marrë fonde bujqësore të BE-së të destinuara për të zhvilluar kullota që nuk i zotëronin ose nuk i kishin marrë me qira, ose për aktivitete bujqësore në të cilat nuk ishin angazhuar kurrë, duke i privuar kështu fermerët e vërtetë nga paratë që meritonin.
Qeveria greke njoftoi muajin e kaluar se do të mbyllte agjencinë shtetërore për mbikëqyrjen e subvencioneve bujqësore, OPEKEPE, e cila është nën hetim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






