

Durrës- Arbër Paplekaj, ish-oficer i forcave RENEA, i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, i është drejtuar Gjykatës së Durrësit me një kërkesë për lirim me kusht.
Përmes avokatit të tij, Paplekaj pretendon se plotëson të gjitha kushtet ligjore për këtë kërkesë: ka vuajtur tre të katërtat e dënimit, nuk ka shkelje disiplinore gjatë qëndrimit në burg dhe përmend gjithashtu gjendjen familjare si rrethanë lehtësuese.
Megjithatë, seanca gjyqësore e planifikuar për këtë të martë u shty, pasi Paplekaj nuk u shoqërua në sallën e gjyqit nga policia e burgjeve. Gjyqtari Rexhepi Bekteshi vendosi që shqyrtimi i kërkesës të mbahet më 16 korrik.
Fillimisht, Paplekaj ishte dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Elbasanit për “vrasje në rrethana cilësuese”, por Apeli e rikualifikoi akuzën në “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, duke e ulur dënimin përfundimtar në 7 vite.
Ngjarja ndodhi më 21 prill 2021, kur mbështetës të Partisë Demokratike, pjesë e një strukture të vetëshpallur për mbrojtjen e votës, ndaluan në Elbasan një automjet pa targa të drejtuar nga Mehmet Greca (i njohur si Met Dafllaku), të cilin e akuzuan për përfshirje në blerje votash në favor të PS.
Në ndihmë të Grecës mbërritën Pjerin Xhuvani, dhëndri i tij dhe disa persona të tjerë, disa prej të cilëve me të shkuar kriminale. Gjatë përplasjes, shpërtheu një shkëmbim zjarri ku mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagos një oficere policie.
Sipas hetimeve, ishte Arbër Paplekaj ai që qëlloi për vdekje Xhuvanin. Në vendngjarje u përdorën edhe dy armë të tjera zjarri, por prokuroria nuk ka arritur të identifikojë autorët që i përdorën ato. Në kohën e ngjarjes, aty ishin të pranishëm edhe dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit si dhe zyrtarë të tjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






