

Tiranë, 17 qershor 2025 – Regjistri i mjeteve tregon se një në dy qytetarë shqiptarë zotëron një automjet, por rreth 25% e tyre nuk përmbushin detyrimet vjetore ligjore si taksat dhe kontrollin teknik.
Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara në qershor, rreth 256 mijë automjete nuk kanë shlyer detyrimet financiare pranë Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor. Drejtori i Regjistrimit të Mjeteve, Arben Progni, theksoi se çdo debitor njoftohet përmes platformës e-Albania dhe se janë në bisedime me një bankë për të lehtësuar pagesën online të këtyre detyrimeve. Borxhi total i akumuluar ndër vite arrin në rreth 17 miliardë lekë.
Tatimet kanë paralajmëruar masa për debitorët, por sfida mbetet identifikimi i mjeteve që nuk janë më në qarkullim. Shumë posedues nuk kanë kryer çregjistrimin e automjeteve të papërdorura, çka sjell akumulimin e detyrimeve.
Progni sqaroi se ekziston procedura e çregjistrimit të përkohshëm për ata që nuk e përdorin mjetin për një periudhë kohe, si emigrantët. Kjo mundëson pezullimin e taksave, por aplikohet vetëm nëse mjeti nuk ka borxhe të papaguara. Për çregjistrim të përhershëm, kërkohet shlyerja e plotë e detyrimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






