

GREQI – Prindër bullgarë lënë foshnjën 11-muajshe në ballkon dhe flenë brenda, arrestohen nga policia
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Greqi, ku dy prindër me shtetësi bullgare u arrestuan pasi lanë foshnjën e tyre 11-muajshe vetëm në ballkon, ndërsa vetë shkuan të flinin të pashqetësuar brenda banesës.
Të qarat e foshnjës në orët e para të mëngjesit të së hënës tërhoqën vëmendjen e një patrulle policie që po kalonte pranë ndërtesës në qendër të qytetit.
Oficerët vendosën të kontrollonin dhe, kur arritën në apartament, u tronditën kur panë foshnjën vetëm në ballkon, me dyert e mbyllura, ndërkohë që dy prindërit flinin me tre fëmijët e tjerë brenda.
Sipas mediave vendase, pamjet e ngjarjes janë regjistruar nga një fqinj, ku shihet fëmija në karrocë dhe i mbuluar me një batanije, në ballkonin e katit të katërt të pallatit.
Ndaj prindërve është ngritur padi për ekspozimin ndaj rrezikut të një të mituri, ndërsa sipas burimeve hetimore, ata kanë pretenduar se e kishin lënë fëmijën në ballkon “për t’u freskuar”. Autoritetet greke po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse rasti do të kualifikohet edhe si neglizhencë prindërore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






