

Rinumërimi mund të ndryshojë 2 mandate – një në Tiranë dhe një në Fier, në varësi të lëvizjeve të vogla të votave. Në qarqet e tjera, përmbysja e rezultatit është thuajse e pamundur. Procesi pritet të zgjasë deri në mesin e korrikut.
Tiranë – Në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë ka nisur zyrtarisht procesi i rinumërimit të 44% të kutive të votimit të zgjedhjeve të 11 majit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Në total do të hapen 2.323 kuti nga katër qarqe: Elbasan, Tirana, Fieri dhe Durrësi.
Procesi nisi me 94 kutitë e Peqinit dhe Gramshit, ku do të bëhet krahasimi me materialet zgjedhore.
Më pas do të vijojë me 1.282 kuti të Tiranës, 587 të Fierit, dhe në fund 360 të Durrësit, ku përfshihen edhe 85 kuti nga diaspora.
Rinumërimi po realizohet nga 24 tavolina, me 63 punonjës të administratës zgjedhore, dhe pritet të zgjasë deri në 1 muaj, për shkak të kapacitetit më të kufizuar se në numërimin fillestar. E gjithë procedura po transmetohet live nga kamerat e KQZ-së, ndërsa vëzhguesit janë të pranishëm për çdo subjekt ankues.
Ku mund të ndryshojnë mandatet?
Fier
Në këtë qark, rezultati më i lëkundur është ai i koalicionit “Shqipëria Bëhet” i Adriatik Lapajt, i cili humbi një mandat me rreth 500 vota. Nëse ato vota “gjenden”, mandatin e merr Azmer Duleviç, ndërsa PS humbet një deputet – Zegjine Çaushi.
Partia Demokratike nuk rrezikon asnjë mandat.
Nisma "Mundësia" ka një shans minimal – do t’i duhen 519 vota më shumë për të marrë një mandat nga PS, gjë pak e mundshme.
Tiranë
Në kryeqytet, nën vëzhgim është mandati i dytë i partisë “Mundësia”, që mund t’i kalojë PD-së nëse ajo fiton 1200 vota më shumë ose “Mundësia” humb 117 vota.
Në këtë rast, Ilir Alimehmeti (PD) do të zëvendësojë Erald Kaprin (Mundësia).
Për “Mundësinë” që të ruajë mandatin në kurriz të PS-së, kjo e fundit duhet të humbasë 4500 vota – një skenar shumë i vështirë.
Përplasja mes kandidatëve demokratë më e ngushta është ajo mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit – diferenca është 2.400 vota, thuajse e pakapërcyeshme.
Tek socialistët, më të rrezikuarat janë:
Olta Xhaçka, vetëm 140 vota përpara Blerina Gjylametit
Xhemal Qefalia, me 500 vota më pak se Ornaldo Rakipi
Durrës
Rinumërimi përfshin KZAZ 21 dhe 22, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati Aulon Kalaja (PD).
Ai garon kundër ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili ka avantazh prej rreth 1000 votash. Pa rinumërim të plotë, përmbysja duket e pamundur.
Financimi dhe organizimi
KQZ ka bërë të ditur se nuk do të kërkojë buxhet shtesë – kostoja 21 milionë lekë do të mbulohet nga kursimet e procesit të 11 majit. Fondet do të përdoren për sistemin e raportimit online, logjistikën dhe materialet ndihmëse. /noa.al
Çfarë duhet të dini
Rinumërimi nga KQZ nini sot 17 Qershor 2025 ora 09:00.
Pas vendimit të KAS-it, KQZ nis zyrtarisht rinumërimin e 2323 qendrave të votimit (përfshirë 85 kutitë nga votimi jashtë vendit).
Rinumërimi zhvillohet në Pallatin e Sportit "Farie Hoti", Tiranë me transmetim LIVE në rrjetet sociale të KQZ
24 grupe/24 tavolina numerimi
Qarqet e përfshira: Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan
Vëzhgues do të kenë vetëm subjektet e legjitimuara gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave ankimore konkretisht:
1. Qarku Elbasan, Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste;
2. Qarku Fier, Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Koalicioni Nisma -Shqipëria Behet;
3. Qarku Durrës, Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste;
4. Qarku Tirane, Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Mundësia;
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






