

TURQI – Aktakuzë për spiunazh: Liridon Rexhepi rrezikon deri në 35 vjet burg
Një shtetas i Kosovës, Liridon Rexhepi, është vënë nën akuzë në Turqi për spiunazh, nën dyshimin se ka vepruar si koordinator financiar për agjencinë izraelite të inteligjencës Mossad. Sipas aktakuzës së përgatitur nga Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit, Rexhepi rrezikon një dënim deri në 35 vjet burg.
Aktakuza, e hartuar nga Zyra e Kryeprokurorit për Hetimin e Krimeve Terroriste, pretendon se Rexhepi ka transferuar fonde të ardhura nga Mossadi drejt shtetasve turq dhe të huaj, të cilët ishin nën hetim për spiunazh. Këto fonde, sipas prokurorisë, janë përdorur për të mbështetur operacione inteligjence, përfshirë mbikëqyrje dhe mbledhje të dhënash sensitive.
Hetimet nisën pas një operacioni të përbashkët të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT) dhe Degës Kundërterrorizmit të Policisë së Stambollit. Gjatë hetimit u zbulua se Rexhepi dyshohet se ka bashkëpunuar me një shtetas turk, Yildiray Boztepe, i cili ka kryer mbikëqyrje me dronë në zona të banuara nga shtetas palestinezë, kryesisht në distriktet Buyukçekmece dhe Başakşehir.
Sipas prokurorëve, mbikëqyrja përfshinte fotografi dhe pamje video të banesave dhe ndërtesave, të cilat dyshohet se i janë dërguar inteligjencës izraelite për analiza të mëtejshme dhe planifikim të mundshëm operacional.
Aktakuza thekson se Boztepe është paguar përmes transfertave Western Union nën emrat “Ardit Lusufi” dhe “Festim Lusufi”, të cilët dyshohet se janë persona të lidhur me Rexhepin. Pagesat, sipas hetimeve, janë negociuar përmes komunikimeve të koduara me një person të identifikuar vetëm si “Abdullah”, i cili dyshohet të jetë operativ i Mossadit.
Prokuroria vlerëson se informacionet e mbledhura – përfshirë adresa banimi, pamje dhe të dhëna të detajuara – mund t’i paraprijnë operacioneve të rënda, si rrëmbime apo vrasje të mundshme.
Në dëshminë e tij, Boztepe ka deklaruar se është profesionist i videografisë me dron dhe se ka marrë porosi për pamje ajrore pa qenë në dijeni të qëllimeve të vërteta apo identitetit të financuesve. Ai ka mohuar çdo lidhje me agjenci të huaja inteligjence.
Prokurorët kanë kërkuar dënime që variojnë nga 18 vjet e 9 muaj deri në 35 vjet burg për Rexhepin dhe Boztepen, nën akuzën e “spiunazhit të përsëritur politik ose ushtarak”. Aktakuza është pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe pritet që procesi gjyqësor të nisë në javët në vijim.
Sipas autoriteteve turke, Rexhepi kishte hyrë në Turqi më 24 gusht 2024 përmes aeroportit të Antalyas dhe u vu menjëherë nën mbikëqyrje. Ai u arrestua më 30 gusht, pas një operacioni të koordinuar nga MIT dhe Policia.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Rexhepi dyshohet se ka lehtësuar transferta financiare nga Kosova dhe vende të tjera të Evropës Lindore drejt rrjeteve të lidhura me Mossadin në Turqi, fonde që më pas janë përdorur në operacione inteligjence, përfshirë aktivitete që dyshohet se kanë pasur lidhje edhe me Sirinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






