Transmetuar më 16-06-2025, 19:16

Itali – Një krim i rëndë familjar ka tronditur opinionin publik, pasi një 55-vjeçar shqiptar vrau me thikë ish-bashkëshorten e tij, Gentiana Hudhra, 45 vjeçe, në mes të rrugës, ndërsa ajo po shkonte në punë.

Ngjarja ndodhi të shtunën mbrëma, më 14 qershor, në një zonë periferike në provincën e Anconës. Autori, Nikollaq Hudhra, u arrestua në vendngjarje, pasi priti mbërritjen e karabinierëve dhe pranoi autorësinë e krimit.

Sipas mediave italiane, një nga djemtë e viktimës, Mario, ka rrëfyer me dhimbje për mediat se ishte takuar me të atin vetëm pak çaste para ngjarjes fatale.

“Shkova të haja akullore me babin, pastaj ai vrau mamin”, ka deklaruar ai, duke tronditur publikun me thjeshtësinë tragjike të fjalëve të tij.

Çifti kishte qenë i ndarë që prej vitit 2021 dhe kishte dy fëmijë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën. Sipas autoriteteve, nuk kishte pasur sinjale të drejtpërdrejta për një rrezik të afërt, megjithatë, ish-burri kishte menduar të kryente aktin edhe më parë. Në dëshminë e tij, ai tha se e kreu krimin për të “shpëtuar fëmijët”, ndërsa pretendoi se viktima kishte tentuar ta helmonte.

Krimi u krye me një thikë me teh 18 cm, dhe trupi i Gentiana Hudhrës pritet t’i nënshtrohet autopsisë në ditët në vijim. Prokuroria italiane ka kërkuar zbatimin e rrethanave rënduese për vrasjen, për shkak të lidhjes bashkëshortore, paramendimit dhe dhunës së përdorur.

Një dëshmitare që ndodhej në vendngjarje ka deklaruar:

“Dëgjova një britmë tmerruese. Ai e godiste edhe me këmbë. Pashë shumë gjak.”

Sot pritet seanca për konfirmimin e arrestit dhe pyetja e sigurisë përpara gjyqtarit hetues në Itali.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit