Transmetuar më 16-06-2025, 16:30

Një tjetër rast i shpërndarjes së drogës nga shtetas të huaj është goditur nga policia këtë herë në Dhërmi.

Në pranga kanë rënë dy shtetas, një malajzian dhe një britanik, përkatësisht 30 dhe 22-vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar doza droge.

Malajziani është kapur me kokainë dhe kanabis, ndërsa britaniku është kapur me doza kokaine dhe ekstazi. Pak ditë më parë, në pranga ranë edhe dy shtetas britanikë, sërish me doza të drogës me qëllim shpërndarjen.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle intensive në zonat bregdetare, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike në Dhërmi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në kuadër të planit të masave për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, veçanërisht në zonat turistike, kanë zhvilluar kontrolle të shtuara në fshatin Dhërmi.

Si rezultat i kontrolleve të kryera, u goditën 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, për të cilat u arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. S., 30 vjeç, shtetas malajzian, i cili ishte akomoduar në një banesë në fshatin Dhërmi. Gjatë kontrollit në ambientet e banesës, u gjetën dhe u sekuestruan disa doza të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë;

O. S., 22 vjeç, shtetas britanik, të cilit gjatë kontrollit fizik, në Dhërmi, iu gjetën disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe disa tableta ekstazi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit